Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se pas më shumë se dy vjet betejë ligjore si pasojë e nje padie të inicuar nga një individ, Republika e Kosovës ka triumfuar në arbitrazh ndërkombëtar.
“Avokatura Shtetërore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në bashkëpunim me firmën ligjore që përfaqëson Republikën e Kosovës në arbitrazh, tashmë kanë filluar hapat e radhës për ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit dhe inkasimin e shpenzimeve”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ky rast ishte nga biznesmeni Bedri Selmani, i cili kishte kërkuar 65 milionë euro nga Kosova në Arbitrazhin Ndërkombëtar, raporton Kallxo.com
Sipas Kallxo.com, Selmani këto miliona i kërkoi si kompensim për dëmet e pretenduara nga ai për “shpronësimin e investimeve” për hotelin “Victory”, AutoPrishtina – AutoKosova dhe pompat e benzinës “Kosova Petrol”.
“Avokatura Shtetërore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në bashkëpunim me firmën ligjore që përfaqëson Republikën e Kosovës në arbitrazh, tashmë kanë filluar hapat e radhës për ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit dhe inkasimin e shpenzimeve”, ka shkruar ministrja Haxhiu në rrjetin social “Facebook”.
Rasti ishte dërguar në Arbitrazh nga Bedri Selmani pasi Agjencia Kosovare e Privatizimit i kishte larguar nga pronat shoqërore, Hotel Victory, AutoPrishtina-AutoKosova dhe disa pompa të benzinës “Kosova Petrol” që ishin të shtrira në disa qytete të Kosovës. Largimi nga këto prona është bërë meqë AKP-ja që menaxhon me pronat shoqërore e ka konsideruar uzurpator ish-deputetin e PDK-së, Bedri Selmani.
“Agjencia Kosovare e Privatizimit, në vazhdën e aktiviteteve për lirimin e aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore nga uzurpatorët, sot ndërmori aksionin për lirimin e asetit të Ndërmarrjes Shoqërore “AutoPrishtina”, i njohur si Hotel Victory dhe të disa aseteve të tjera të kësaj ndërmarrjeje”, thuhet në komunikatën e AKP-së të lëshuar më 3 qershor 2016.
Bedri Selmani e ka dorëzuar padinë ndaj Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris të Francës, më 29 prill të vitit 2019.