Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë pranuar ftesën e Bashkimit Evropian lidhur me bisedimet që do të zhvillohen më 18 gusht të këtij viti.
Përgjatë të hënës, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme(BE), Peter Stano e kishte konfirmuar për Portalin Dukagjini se kishte ftuar në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Mund të konfirmoj se pasi përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, ftoi të dy palët në Bruksel, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq kanë pranuar ftesën e tij. Ata do të mirëpriten në Bruksel më 18 gusht nga Borrell dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, për të diskutuar për rrugën përpara në dialogun Prishtinë-Beograd”, ka thënë Stano për REL.
Një ftesë e tillë vie pas rritjes së tensioneve në Mitrovicën e Veriut të cilat ishin rrjedhojë e dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës për dokumentet dhe targat serbe, vendime zbatimi i të cilave u morr vendim të shtyhet për 30 ditë.
Në takim pritet të flitet për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve.
Takimi i 18 gushtit do të shënojë takimin e tretë midis Kurtit dhe Vuçiqit.
Një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë ishte paraparë të mbahej më 19 korrik, por sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, takimi u shty me kërkesën e Vuçiqit.
Peter Stano konfirmon ftesën e BE-së për takim në mes të Kurtit dhe Vuçiqit