Katër persona janë plagosur rëndë pasi u goditën nga rrufeja pranë Shtëpisë së Bardhë.
Përgjatë një stuhie të dhunshme, që të katërt, dy burra dhe dy gra ishin prezentë në parkun “Lafayette” në Uashington DC kur u goditën, bëjnë të ditur zyrtarët e zjarrfikësve.
Të parët që ndihmuan viktimat qenë anëtarët e shërbimit sekret, duke qenë se incidenti ndodhi afër selisë së presidencës amerikane, përkatësisht pranë një peme pranë gardhit që rrethon kompleksin e Shtëpisë së Bardhë.
Ndërkaq, identiteti i të plagosurve ende nuk është konfirmuar, transmeton “BBC“.
“Të katër vuanin nga lëndime kritike, të rrezikshme për jetën,” thanë DC Fire dhe EMS në një deklaratë. “Ne ishim në gjendje të trajtonim dhe transportonim shpejt të katër pacientët dhe ata u dërguan të gjithë në spitalet e zonës.”
Ndër të tjera, bëhet e ditur se një pjesë e parkut mbeti e mbyllur, me shërbimet e urgjencës në vendngjarje.
Shërbimi Kombëtar i Motit kishte lëshuar një paralajmërim për stuhi në këtë zonë mbrëmjen e së enjtes.
Sheshi “Lafayette” është një park publik prej shtatë hektarësh direkt në veri të Shtëpisë së Bardhë.