Moskursimi i fëmijëve nga ngacmimet seksuale

Shumë ngacmues seksualë mund të kenë çrregullime të caktuara mendore, mirëpo se a ka çrregullime mendore të cilat shtyjnë një person drejt ngacmimit apo abuzimit seksual, tregon psikologia për Portalin Dukagjini

Ngacmimet seksuale janë një problem në rritje, problem i cili nuk po kursen asnjë moshë.

Një rast i një sulmi seksual të ndodhur në Prishtinë të mërkurën e 27 korrikut, i siguruar me pamje nga Portali Dukagjini, mori vëmendjen për vetë faktin se ishte një ngacmim ndaj një 6-vjeçareje.

Kjo rrjedhimisht është burim i një kurioziteti që parashtron qartë pyetjen “Pse fëmijët janë njëri ndër targetët e ngacmimeve seksuale?”

Kur flasim për këtë përvojë shqetësuse për secilën moshë, pa përjashtim, i referohemi çdo veprimi me përmbajtje seksuale që ushtrohet nga një person kundër vullnetit të lirë të personit tjetër.

Për të kuptuar se si ndikon në mirëqenien psikologjike të të miturve, për portalin Dukagjini ka folur psikologia, Diellza Gllogu, e cila ka thënë se ngacmimi seksual është një ngjarje traumatike.

“Ngacmimi seksual është një ngjarje traumatike dhe si e tillë mund të afektojë mirëqënien psikologjike të fëmijës”, ka thënë Gllogu për Portalin Dukagjini, gjersa ka theksuar ekzistencën e një ndërlidhjeje në mes të ngacmimeve/abuzimeve seksuale me ndjenjën e turpërimit dhe vetëfajsimit, tërheqjen nga aktivitetet sociale, makthet, sjelljet seksuale të papërshtatshme për moshën, vështirësitë në krijimin e lidhjeve të shëndetshme me të tjerët, si dhe padyshim një gjendje të rënduar emocionale.

Kjo pason në mënyrën e adaptimit pas përvojës së lartcekur përgjatë të cilës, mbështetja emocionale mbetet një ndër pikat kyçe të ndihmës nga njerëzit përreth.

Ilustrim

Cilat janë ndryshimet që mund të vërejmë te sjellja e fëmijëve pas ngacmimeve seksuale e madje, edhe pas përdhunimeve?

Përjetime të tilla padyshim që do të sjellin ndryshme në mënyrën e jetesës së viktimave të ngacmimit dhe abuzimit seksual, në mënyrën e reagimit dhe përshtatjes ndaj ambientit.

Zakonisht, ndjenjat sikurse izolimi, frika, ankthi, ndryshime të humorit, ulja e performancës në shkollë, një kaplim heshtjeje janë ndjenjat më të shumta të përjetuara nga ngjarjet e tilla traumatike.

Por, sipas psikologes Gllogu, ato nuk janë të vetmet simptoma.

“Fëmija mund të shfaqë ulje të interesimit për lojë, rritje të sjelljes kundërshtuese, vështirësi me gjumin si dhe probleme në përqendrim dhe mësim”, ka thënë ajo.

Ndër të tjera, ajo ka thënë që si pasojë e ndjenjës së turpit, vetëfajsimit, frikës për stigmatizim, shpeshherë ngacmimet seksuale nuk raportohen ose edhe mbahen të fshehta nga të mbijetuarat/it e ngacmimit seksual.

Gjersa thekson rëndësinë e vëmendjes që duhet kushtuar nga ana e prindërve, kujdestarëve, familjarëve dhe edukatorëve, të gjitha viktimat e veçanërisht fëmijët, duhet të dinë se iu ofrohet mbështetja e nevojshme emocionale për të parandaluar pasojat afatgjate.

Se a ndryshojnë ndikimet varësisht moshës, duhet theksuar se pavarësisht kësaj të fundit, kemi të bëjmë me një ngjarje traumatike e cila ka mundësi të lërë pasoja afatgjate në mirëqenien psikologjike.

Ndërkaq, nuk përjashtohet fakti se fëmijët shpeshherë nuk ia kanë idenë e të dalluarit se çfarë është një ngacmim seksual. Kjo nuk nënkupton se ngjarja do të venitet me kohën sikurse nuk ka nodhur kurrë.

“Përvoja mbi ngjarjen mbetet në kujtimet e personit dhe si e tillë mund të rikthehet e ripërjetohet në momente kur diçka asocohet me të (si, një aromë, një detaj nga ambienti apo vetë ambienti, etj). Kësisoj, ngjarja e cila mund edhe të mos jetë përceptuar si ngacmim nga fëmija, mund të reflektojë pasojat në momentin kur e/i mbijetuara/i bëhet e/i vetëdijshëm se ngjarja që ka përjetuar është ngacmim seksual”, ka thënë Gllogu.

E njëjta vlen edhe për moshat madhore. Andaj, thuhet se ekziston ndërlidhje ndërmjet ngacmimit seksual dhe mirëqenies së ulët psikologjike, pavarësisht moshës.

Pse vien veprime të tilla nga ana e të rriturëve ndaj të miturëve?

Megjithëse, raste të tilla janë të panumërta dhe arsyet janë nga më të ndryshmet, por, pse fëmijët nuk janë të kursyer nga akte për të cilat përveçse mund të mos kenë njohuri, njëherësh mund edhe të mos kenë dëgjuar më herët?

Ngacmimi seksual definohet të jetë një manifestim i ndjenjës së fuqisë dhe dominimit ndaj një personi tjetër që përceptohet si më i/e dobët në sytë e abuzuesit/es.

Se nga vinë tendenca nga “dominantët”, tregon psikologia Gllogu për Portalin Dukagjini.

Gjersa ka theksuar se disa nga sjelljet të cilat janë të pranishme te ngacmuesit seksualë janë mungesa e empatisë, tendenca manipulative, si dhe qëndrimet seksiste. Ajo tutje ka thënë se “tendencat për ngacmim seksual mund të jenë më të shprehura te personat të cilët kanë përjetuar një ngjarje traumatike në fëmijëri ose të qenët i/e mbijetuar e abuzimit”.

Duhet theksuar se shumë ngacmues seksualë mund të kenë çrregullime të caktuara mendore, mirëpo mund të themi se nuk ka çrregullim mendor i cili shtyn një person drejt ngacmimit apo abuzimit seksual.

E sa për grupmoshën e personave më të prirur ndaj të realizuarit këtë akt, nuk ka një përcaktues.

Pavarësisht sëmundjeve mendore dhe tendencave që këta ngacmuesë dhe abuzues seksualë mund të kenë, ndoshta një pjesë e përgjigjes së pyetjes “një milion dollarëshe” mund të vijë edhe nga prizmi social.

“Abuzimi seksual si akt është në rritje për shkak të mungesës së kulturës së raportimit dhe kulturës së ndëshkimit”, thotë për portalin Dukagjini, sociologia Greta Avdyli.

Megjithëse mund ta konsiderojmë sikurse “një fakt” kultivimin e kulturës së heshtjes dhe “turpërimit” përballë shoqërisë, kjo ka shërbyer sikurse streha ku abuzuesit kanë shtrirë aktivitetin kundërligjor të tyre.

“Në mënyrë që të evitohen këto raste duhet të punojmë në ngritjen e vetëdijes si shoqëri, ku përmes trajnimeve të ndryshme t’i edukojmë të rriturit dhe fëmijët mbi mënyrat e abuzimit seksual, identifikimin dhe raportimin e tyre. Ndër të tjera, institucionet si familja, shkolla dhe policia duhet të bashkëpunojnë ngushtë në mënyrë që këto raste të evitohen sa më shumë”, ka thënë Avdyli për Portalin Dukagjini.

Njëherësh, portali Dukagjini ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës për të kuptuar numrin e rasteve të raportuara të kësaj natyre.

“Gjatë vitit 2021 janë iniciuar 54 raste ‘ngacmim seksual’, kurse, në periudhën janar-qershor 2022 janë raportuar 38 raste ‘ngacmim seksual’”, thuhet në një përgjigje të Policisë së Kosovës për Portalin Dukagjini.

Ndërkaq, ‘sulme seksuale’ gjatë vitit 2021 janë evidentuar 73 raste dhe në periudhën janar-qershor 2022 janë evidentuar 33 raste.

Të gjitha rastet në fjalë të treguara për Portalin Dukagjini janë dhënë nga Policia e Kosovës pa definuar moshën e viktimave.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika