Në një ngjarje të rrallë, mjëra myslimanë u mblodhën dhe u lutën në faljen e veçantë (Taravitë) në qendrën e Times Square në New York, të shtunën, për të shënuar fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Për herë të parë në histori, myslimanët e falën namazin e taravive në këtë vend ikonik në Shtetet e Bashkuara.
Organizatori i ngjarjes tha për mediat ndërkombëtare se myslimanët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara duan të festojnë Ramazanin në këtë vend emblematik në zemër të qytetit të New York-ut, për t’u treguar të tjerëve se Islami është një fe paqësore.
Njëri nga organizatorët tha se ekziston një keqkuptim për Islamin.
“Ne jemi këtu për t’ua shpjeguar fenë tonë të gjithë atyre që nuk e dinë se çfarë është Islami,” tha ai.
“Për myslimanët, nuk ka të bëjë vetëm me agjërimin në mënyrë që të kuptojmë se si ndihen ata që janë të pasigurt rreth ushqimeve. Ne, në fakt, po e bëjmë këtë që të mund të bëhemi më të afërt me krijuesin tonë, zotin tonë, Allahun,” tha S.Q, një nga organizatorët e tubimit, përcjellë CBC.
Disa nga njerëzit që kanë qenë të pranishëm, kanë dhënë një mesazh për mediat ndërkombëtare duke thënë se uniteti i tyre është për të predikuar fenë, jo-dhunën, pra që t’ua shpjegojnë besimtarëve mësimet e fesë.
“Kurani është një shpallje hyjnore. Është shpallja përfundimtare që iu dha profetit Muhamed, i cili ishte një lajmëtar në një seri të dërguarish, ashtu si Jezusi, ashtu si Moisiu, ne jemi të gjithë të bashkuar dhe të lidhur së bashku. Njerëzit duhet të ndalojnë përpjekjet për të përçarë të krishterët, myslimanët, hebrenjtë dhe të gjithë. Kjo duhet të ndalet.” Shtoi organizatori i ngjarjes.
Ramazani zgjat 30 ditë, këtë vit përfundon më 1 maj. Ndërsa Bajrami fillon më 2 maj, festë që bëhet pas mbarimit të Ramazanit.