Organizata Veri Atlantike (NATO), që të hënën shënon 73 vjetorin, u krijua në vitin 1949 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe disa vende të Evropës Perëndimore, me qëllimin e vetëm ofrimin e sigurisë kolektive kundër Bashkimit Sovjetik.
Aleanca fillimisht përbëhej nga 12 vende: SHBA-ja, Kanadaja, Belgjika, Danimarka, Franca, Islanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Portugalia dhe Britania.
Pas kësaj, në 1952, Greqia dhe Turqia vendosin që të futen në Aleancë. Tri vjet më vonë në vitin 1955 edhe Gjermania bëhet pjesë e NATO-s, kurse më vonë në vitin 1982 Spanja bëhet shteti i radhës që anëtarësohet në këtë organizatë.
Organizata e NATO-s bazohet në solidaritetin e ndërsjellë, që nëse sulmohet ndonjë prej shteteve anëtare atëherë sipas nenit pesë të NATO-s, konsiderohet sulm për të gjithë palët.
“Palët bien dakord që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre, në Evropë ose në Amerikën e Veriut, do të konsiderohet si një sulm i drejtuar kundër të gjitha palëve”.
Në vitin 1992, NATO përdor forcat e saj për herë të parë duke monitoruar embargon e armëve kundër ish-Jugosllavisë. Anijet e NATO-s patrulluan përgjatë bregdetit lindor të Adriatikut duke kontrolluar të gjitha anijet për armë.
Ndër veprimet e para që ka marrë organizata e NATO-s, është sulmi në vitin 1994 ku janë gjuajtur katër avionë serbë në një zonë të ndaluar fluturimi të OKB-së në Bosnje-Hercegovinë.
Ishte hera e parë që NATO përdori forcën e saj të armëve. Ishte gjithashtu edhe fillimi i zhvillimit të rolit të NATO-s jashtë zonës së saj.
Ishte viti 1999, kur forcat e Aleancës Veri-atlantike, kishin sulmuar për 78 ditë rresht Serbinë, për shkak të shtypjeve e masakrave në civilë që po bënin forcat Serbe në Kosovë.
Fushata e sulmeve 78-ditore, ishte pa mandatin e OKB-së, e cila rezultoi me tërheqjen e forcave serbëve nga territori i Kosovës.
Rrjedhojë e kësaj ishte edhe pavaërsia e Kosovës e cila u shpall me 17 shkurt të vitit 2008.