Militantët e Xhihadit Islamik Palestinez (PIJ), kanë thënë se armëpushimi do të fillojë në orën 23:30 me orën lokale, pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga Egjipti. Gjithashtu, edhe zyra e kryeministrit izraelit, Yair Lapid, e ka konfirmuar armëpushimin.
Lufta e fundit është shpërthimi më serioz midis Izraelit dhe Gazës që nga konflikt 11-ditor që kishte ndodhur në maj të vitit 2021.
Ushtria izraelite ka sqaruar se filloi sulmin e fundit në Rripin e Gazës në përgjigje të kërcënimeve nga një grup militant. Ai pasoi ditë tensionesh pasi Izraeli arrestoi një anëtar të lartë të PIJ-së në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Deri të dielën në mbrëmje, Ministria Palestineze e Shëndetësisë ka thënë se 43 persona kanë humbur jetën ku prej tyre ishin 15 fëmijë, ndërsa më shumë se 300 persona kanë mbetur të plagosur.
Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë e Gazës e ka fajësuar “agresionin izraelit” për vdekjen dhe plagosjen palestinezëve.
Armëpushimi u ndërmjetësua nga Egjipti gjatë ditës, raporton BBC, ndërsa turma të mëdha ishin mbledhur të dielën e 7 gushit për funeralet e të vrarëve në sulmet në Rafah, në jug të territorit, duke përfshirë komandantin e lartë të PIJ-së Khaled Mansour – militantin e dytë të lartë që ka vdekur.
Demonstrata në mbështetje të Gazës janë mbajtur edhe në qytetin Nablus të Bregut Perëndimor.
Raportet për marrëveshjen e armëpushimit pasuan shqetësimet për situatën humanitare në Gaza, pasi zyrtarët shëndetësorë paralajmëruan se spitalet kishin karburant të mjaftueshëm për të vënë në punë gjeneratorët edhe për dy ditë të tjera.
“Ne vlerësojmë përpjekjet egjiptiane që ishin bërë për t’i dhënë fund agresionit izraelit kundër popullit tonë,” ka thënë zëdhënësi i Xhihadit Islamik, Tareq Selmi.
Ndërsa Izraeli kishte thënë se janë duke ruajtur të “të drejtën për t’u përgjigjur fuqishëm” nëse shkelet armëpushimi.