Ambasada ruse në Serbi ka reaguar në lidhje me shpalljen “non-grata” nga shteti i Kosovës, të spiunes ruse Darija Aslamova.
Vendimin e shtetit të Kosovës, kjo ambasadë e ka quajtur provokim dhe cenim të lirisë së mediave.
Ata i kanë bërë thirrje OKB-së, UNMIK-ut dhe misionit të OSBE-së në Kosovë, që ta dënojnë vendimin për ndalimin e hyrjes së Aslamova-së për pesë vjet në territorin e Kosovës.
“Ndalimi i pabazuar i Darija Aslamovës është një provokim tjetër i institucioneve të përkohshme në Kosovë, shembull i shpërfilljes së plotë të Prishtinës ndaj parimeve themelore demokratike, përfshirë lirinë e mediave. Ne i bëjmë thirrje Sekretariatit të OKB-së, UNMIK-ut, Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ligjit të BE-së, Misioni i Zbatimit dhe organizatat ndërkombëtare ekspertë të dalin menjëherë me një vlerësim publik të ngjarjes”, thuhet në deklaratën e ambasadës ruse në Beograd.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka shpallur si “person të padëshirueshëm” gazetaren ruse, Daria Aslamova, duke ia ndaluar hyrjen në Republikën e Kosovës për 5 vjet.
Asaj i është ndaluar hyrja në Kosovë të shtunën, për shkak se ajo ka qenë në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse.
“Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara cenon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.
Përgjatë së shtunës, Sveçla kishte njoftuar për arrestimin e saj, duke thënë se ajo ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë, duke propaganduar mbi pushtimin rus.