Kurti: Më 1 shtator, akterët ndërkombëtarë duhet ta zmbrapsin Beogradin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për tensionet e 31 korrikut në veri ka thënë se mund të kishte përshkallëzim të kësaj situate "për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”. Ndërsa, që të evitohen këto tensione më 1 shtator, ai ka theksuar se faktorët ndërkombëtarë “duhet ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj Kosovës”

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se barrikadat që u vendosën në rrugët e veriut në kundërshtim të zbatimit të vendimit për targat dhe dokumentet hyrëse për shtetasit serbë, ishin të pozicionuara në atë mënyrë që të qëllohej me armë mbi automjete dhe njerëz që kalojnë në atë zonë.

Ai ka thënë se rrezik ka pasur për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd.

“Pra, mbledhjet në Beograd dhe në Rashkë janë vendet dhe ngjarjet ku është planifikuar ai tensionim i situatës në Kosovë. Padyshim që rreziku ekziston, por ne bëjmë gjithçka që atë ta minimizojnë”, ka deklaruar kryeministri.

Po ashtu, Kreu i Qeverisë së Kosovës, ka thënë se nuk do të diskutojë lidhur me vendimet për targat dhe dokumentet hyrëse në takimin që do ta ketë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht në Bruksel.

Sipas tij, në mënyrë që më 1 shtator të shmangen tensionet e 31 korrikut, faktorët ndërkombëtarë “duhet ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj Kosovës”.

Ndërsa për sulmet e njëpasnjëshme ndaj Policisë së Kosovës në veri, Kurti ka thënë se këto sulme ndodhin prej elementeve kriminale, të cilat bëjnë kontrabandë, e që janë të përfshira në trafikime të ndryshme, ku dominon shpëlarja e parave, por sidomos droga.

Ndërsa, për dënim të këtyre sulmeve, ai ka thënë se Policia është hallka e parë e drejtësisë që duhet të vazhdohet e pastaj me Prokurori aktive dhe me gjyqësor efikas.

“Besoj që puna e madhe e Policisë do të pasohet edhe nga sistemi i drejtësisë”, ka deklaruar Kurti.

Ndërsa për Darija Aslamovën, shtetasen ruse, e cila tashmë është shpallur e padëshiruar në Kosovë, ai ka thënë se nuk është e rastësishme që ajo u përpoq të vinte nga vendkalimi kufitar në veri të Kosovës.

“Pra, ishte në Serbi ku mbase ishte edhe e mirëpritur dhe që prej atje provoi të hynte edhe në Kosovë dhe organet tona e ndaluan dhe më pastaj edhe e dëbuan”, ka theksuar Kurti.

Për takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq që pritet të mbahet më 18 gusht, ai ka thënë “Do të diskutojmë hapur mbi elementet përbërëse të kornizës së përgjithshme të marrëveshjes që duam ta arrijmë me dialog”.

Ndërsa për vendimin e Qeverisë të 29 qershorit për reciprocitet për targa dhe për letërnjoftime ndaj Serbisë, Kurti tha, “Ne, vendimet e Qeverisë nuk i negociojmë”, duke shtuar se nuk është dialogu për të diskutuar për vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Pyetjes se a do të arrijnë të evitohen ngjarjet e 31 korrikut më 1 shtator, Kurti i është përgjigjur duke thënë, “Ne do të bëjmë gjithçka që ato të evitohen, por natyrisht që varet sa faktorët ndërkombëtarë do të arrijnë ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj shtetit tonë, ndaj rendit tonë kushtetues dhe ndaj lirisë dhe sigurisë së qytetarëve tanë”.

Sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë se nuk ka çështje që komunat e Kosovës nuk mund ta adresojnë në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Sipas tij, serbët e Kosovës nuk e kanë kërkuar asociacionin njëetnik, ai ka qenë kërkesë e Beogradit dhe koncesion i pararendësve të tij.

Ndërkaq, pyetjes se a do të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë gjatë mandatit të tij, ai i është përgjigjur duke thënë se brenda këtij mandati ekzistojnë edhe mundësitë, vullneti dhe interesi për ta realizuar marrëveshjen ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në qendër të së cilës ndodhet njohja reciproke.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika