Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, ka thënë se Qeveria e Kosovës, aktualisht, është duke e trajtuar çështjen e veteranëve me shumë seriozitet.
“A meritojnë vetëranët t’iu rritet pensioni? Definitivisht që po, dhe e kanë merituar shumë më herët dhe e meritojnë jo vetëm në masën e pagesës, por edhe në kërkesat dhe obligimet e tjera që i ka shteti ndaj tyre që nuk janë kryer tash e 23 vite”, ka thënë ajo.
“Është një çështje që është në diskutim dhe në trajtim tepër serioz. Të gjithë që janë përgjegjës nga ana e qeverisë, janë aktivisht të angazhuar dhe shpresoj dhe jemi të bindur që do të gjendet një zgjidhje”, ka shtuar Kusari.
E ftuar në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Kusari beson se secili veteran i mirëfilltë do të pajtohet me verifikimin e listave. Kjo ngase sipas saj, më së shumti dëm që i ka bërë statusit të veteranëve të luftës janë ata që gjenden në lista, por që nuk janë veteranë të mirëfilltë.
“Më së shumti që e kanë cenuar angazhimin, përkushtimin, sakrificën e veteranëve të mirëfilltë janë ata që janë futur në listë për qëllime elektorale”, është shprehur Kusari.
Kusari ka theksuar se pensioni i veteranit duhet të jetë pension i përcaktuar me ligjin për veteranët, i përcaktuar me kategorizim të mirëfilltë për veteranët, për vlerën që kanë për shoqërinë.
“A është zgjidhja përmes pagës minimale, mbetet për t’u trajtuar. A duhet të bëhet më shpejt, me siguri që po, është një periudhë kohore një situatë që domosdoshmërisht duhet të përcjellet me dialogun aktiv të cilin e kemi përshëndetur të gjithë, edhe pse jo në të njëjtat pajtueshmëri. Është një proces që është dashur që mbi dy dekada për të arritur në trajtimin dhe konsiderimin serioz që e meriton”, ka thënë ajo.
Kusari për Kodin Civil: Ka kundërshtime nga deputetët
Sa i përket Projektkodit Civil, Kusari ka potencuar se ndonëse ky projektligj është dashur të trajtohet para pushimeve, ai është shtyrë për sesionin vjeshtor.
Ajo ka thënë se lidhur me këtë kod ekzistojnë kundërshtimet nga ana e deputetëve.
“Ky projektligj do të jetë në trajtim në sesionin vjeshtor, plani ka qenë që të vjen para pushimeve. Në grupin parlamentar ka kundërshtime, kanë qenë të dukshme dhe të zëshme, ndërsa ka të tjerë që kanë pasur reflektim, këtu do të jemi bashkë të gjithë deputetët e kuvendit, nuk ka të bëjë kjo vetëm me një nen të kodit-civil, ka të bëjë me rregullimin e jetës civile në Kosovë për të gjithë qytetarët”, ka thënë ajo.
Kusari: Derisa Rakiç vozitet me makinën që mban targat RKS, kjo tregon absurditetin e funksionimit të Listës Serbe
Kusari ka potencuar se ministri për komunitete dhe Kthim, Goran Rakiç, duhet t’i mbajë përgjegjësitë e tij si kreu i këtij dikasteri.
Ajo ka thënë se derisa ministri Rakiç vozit makinën që mban targat “RKS”, kjo sipas saj, tregon absurditetin e funksionimit të Listës Serbe.
“Rakiç në seancën kur është votuar qeveria Kurti është votuar ndaras. Përgjegjësitë e ministrit të Qeverisë së Kosovës duhet t’i ketë, ai vozitet me makinë me targat RKS, për çka ai lobon që të mos përdoren ose vendosen ose një marrëveshje të shtyhet sepse i cenon të drejtat e serbëve sipas tij, përderisa ai nuk e ka problem të vozitet me makinë me targat RKS e tregon në njëfarë mënyre krejt absurditetin e funskionimit të Listës Serbe në rrethanat ku një subjekt politik prezanton interesat ose qëndrimet e Serbisë jo të serbëve të Kosovës”, ka theksuar ajo.