Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, teksa ka kritikuar krerët e qeverisë për mosrishikimin e buxhetit për vitin 2022, ka thënë se kjo do të ndikojë negativisht në shpenzimet kapitale dhe rrjedhimisht në ekonomi, punësim e të ardhura.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti, njëherësh deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se shpenzimet kapitale në gjashtë muajt e parë të vitit janë në nivelin më të ulët historik, me vetëm 11 për qind realizim.
Prandaj, sipas tij, ka qenë e domosdoshme të rishikohet buxheti për ta rishpërndarë në projekte që mund të realizohen.
“Mazhoranca qeverisëse e prezantoi si arritje numrin e ligjeve të miratuara në Kuvend. Por nuk e përmendi faktin se njëri ndër ligjet më të rëndësishme, që është rishikimi i buxhetit për 2022, nuk është dorëzuar në Kuvend nga Qeveria”, ka shkruar Hoti.
Ai ka theksuar se me këtë dinamikë “shumë të ulët” të realizimit të buxhetit në gjashtë muajt e parë, dhe në mungesë të rishikimit të buxhetit, është e sigurt se zbatimi i projekteve kapitale “sivjet do të jetë shumë i ulët”.
“Kjo do të nënkuptojë qindra miliona mungesë në qarkullimin ekonomik në vend, që do të ndikojë negativisht rritjen ekonomike, punësimin dhe të ardhurat e përgjithshme”, shtoi ai.