Qeveria zotohet se nuk e paguan më borxhin e as kompania “Elektrosever” nuk po tregon se kur do të fillojë të mbledhë faturat e rrymës në katër komunat veriore të vendit.
Ekspertë të fushës së energjisë thonë se alternative e vetme e Qeverisë është zbatimi i marrëveshjes me “Elektrosever”, ose vazhdon gjendja e viteve paraprake. Por, Bashkimi Evropian, vonesat e zbatimit të marrëveshjes nga ana e Serbinë po i quan teknike.
“Nuk kam kurrfarë mundësie që në dimrin që vjen të pagujë për veriun e Kosovës”, ka deklaruar kryministri Albin Kurti ditë më parë.
Qeveria jo, por as kompania “Elektrosever” nuk ka dhënë ndonjë shenjë që do të fillojë të mbledhë borxhin e rrymës në katër komunat veriore të vendit.
Edhe drejtori menaxhues i kompanisë serbe, Boban Novakoviq, gjatë ditës nuk ka qenë i qasshëm.
“Elektrosever” kishte marrë lejen për operim saktësisht 46 ditë më parë nga Zyra e Rregullatorit për Energji. Kompania serbe deri më tani nuk e ka respektuar asnjë pikë të udhërrëfyesit të 24 qershorit. Pikërisht për këtë marrëveshje sot është diskutuar në takimin që kryeministri Albin Kurti ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së BE-së. Në njoftim thuhet se u fol për rëndësinë që ka për sovranitetin kjo marrëveshje dhe ajo me Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji.
Se këto dy marrëveshje janë shumë të rëndësishme për Kosovën e thotë edhe Visar Azemi nga “Balkan Green Foundation”.
“Zgjidhja më e mirë në këtë rast është që faturat e energjisë elektrike të paguhen nga ata të cilët e shpenzojnë. Dhe po ashtu duhet të shtyhet përpara marrëveshja për energjinë. Pasojat e mos-zbatimit të marrëveshjes dhe mos-pagesës së marrëveshjes janë se Kosova pastaj mund të mos i ketë kufijtë energjetik të cilët ne po dëshirojmë t’i i kemi dhe mund të varemi nga kufijtë energjetik të Serbisë dhe kjo do të ketë edhe pasoja financiare”, ka thënë Azemi.
Ai shprehet se në rast të mospagesës së rrymës shkyçja kolektive nuk është alternativë.
“Nuk do të jetë vendim i duhur nëse i shkyqim pjesën veriore nga sistemi elektro-energjetik i vendit sepse shumë lehtë ajo pjesë mund të lidhet me sistemin e Serbisë dhe të furnizohet nga atje”.
Duke u bazuar në këto dy raste hipotetike, Azemi këshillon që e vetmja rrugë është zbatimi i marrëveshjes nga “Elektrosever”.
Por, gjithë këto vonesa nga ana e Serbisë që të zbatohet marrëveshja, ndërmjetësuesi i saj, Bashkimi Evropian, thotë se po ndodhin për shkaqe teknike.
“KOST, KEDS dhe Elektrosever janë në komunikim të rregullt. Ata gjithashtu raportojnë rregullisht në BE dhe SHBA. Vonesat në zbatimin e Udhërrëfyesit janë për shkak të aspekteve teknike, të cilat BE-ja u ka kërkuar palëve t’i adresojnë pa vonesë. BE-ja po ofron udhëzime se si të adresohen pyetjet e hapura. BE-ja po lehtëson Dialogun ndërmjet Palëve; nuk është arbitër. Përgjegjësia përfundimtare për zbatimin e suksesshëm të Marrëveshjeve për Energjinë dhe Udhërrëfyesit i takon palëve”, ka deklaruar Peter Stano, BE.
Në situate si kjo e tanishmja borxhi zakonisht i është ngarkuar Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës. Më 25 maj Qeveria në formën e huasë, KOSTT-it ia kishte dhënë 26.5 milionë euro.
Nga kjo kompani gjatë ditës nuk kanë treguar nëse këto mjete i kanë pranuar, dhe sa është vlera e borxhit që kanë paguar për rrymën në veri. Pa përgjigje ka mbetur edhe pyetja se çfarë ndodh në rast se asnjëra palë nuk e paguan borxhin.