Drejtori i së ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit.
Petkoviq e ka akuzuar të parin e Qeverisë së Kosovë, duke thënë se e vetmja gjë që di Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është “nxitja e luftës duke udhëhequr politikën e kërcënimeve dhe shantazheve”.
“Me vendimet e tij të njëanshme për targat dhe dokumentet serbe, Kurti ka shkelur të gjitha marrëveshjet, duke përgatitur dhunën në veri. Këtë e ka konfirmuar sot, duke bërë të ditur se nga 1 shtatori Prishtina do të vazhdojë me të ashtuquajturin reciprocitet, i cili ka për qëllim shfuqizimin e targave dhe dokumenteve serbe”, ka thënë Petkoviq.
Sipas tij, Kurti dëshiron konflikt dhe se çdo ditë i pëlqen të flasë për luftën.
Ai ka theksuar se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do t’u mundësonte serbëve të drejta kolektive dhe do të rriste sigurinë.
Kryeministri i Kosovës në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka thënë se një fushatë dezinformimi për vendimet e ekzekutivit sa i përket targave dhe dokumenteve serbe, kishte për qëllim të nxiste frikë dhe të krijonte destabilitet. Ai u bëri thirrje serbëve që të mos bien pre e fushatave të tilla.