Imazhet satelitore tregojnë dëme të mëdha dhe disa avionë luftarakë rusë të shkatërruar në një bazë ajrore në Krime pas shpërthimeve në fillim të kësaj jave.
Baza e Saky në perëndim të Krimesë së sunduar nga Rusia, u trondit nga një varg shpërthimesh të martën, duke vrarë së paku një person.
Ukraina nuk e ka marrë përgjegjësinë – por këto prova të reja sugjerojnë mundësinë e një sulmi nga autoritetet e Kievit.
Imazhet, nga Planet Labs me bazë në SHBA, tregojnë zona të mëdha të tokës së djegur të mbetura nga zjarret që shpërthyen, shkruan BBC.
Pistat kryesore të bazës duket se janë të paprekura, por të paktën 13 avionë duket se janë dëmtuar dhe shkatërruar nga 16 sa shihen në bazë.
Shumica e tyre janë në një zonë të caktuar të bazës ku një numër i madh avionësh ishin parkuar jashtë – larg mbulesës së hangarëve.
Pas shpërthimeve të së martës, Presidenti Volodymyr Zelenskyy ia kushtoi fjalimin e tij të natës Krimesë dhe sugjeroi se ai besonte se Ukraina duhet të rimarrë gadishullin përpara se lufta të përfundojë.
Rusia aneksoi Krimenë në mars 2014, pasi territori – i cili ka një shumicë rusishtfolëse – votoi për t’u bashkuar me Rusinë në një referendum që komuniteti global e konsideron të paligjshëm.
Lufta në Ukrainë: Shpërthime tronditin bazën ajrore ruse në Krime