Të enjten e 11 gushtit, më shumë se një mijë zjarrfikës janë përballur me një zjarr të quajtur përbindësh nga autoritetet në Francën Jugperëndimore që ka shkatërruar tashmë rreth shtatë mijë hektarë të pyjeve, raporton BBC.
Ata po mbështeten nga avionë të specializuar që lëshojnë ujë.
Por pavarësisht të gjitha përpjekjeve, zjarri është ende jashtë kontrollit, ka thënë përfaqësuesi i zjarrfikësve Gregory Allione për Radion RTL të Francës.
Zjarri i furishëm pranë qytetit të Bordeaux ka shkatërruar një numër shtëpish dhe ka detyruar 10 mijë banorë të largohen.
Ndërkaq, erërat e forta dhe temperaturat e larta po vështirësojnë operacionin e shuarjes së zjarrit.
Presidenti Emmanuel Macron njoftoi se Austria, Gjermania, Greqia, Polonia dhe Rumania “po vijnë për të ndihmuar” Francën në luftimin e flakëve.
“Solidariteti evropian në punë”, ka shkruar ai në Twitter.
L’Allemagne, la Grèce, la Pologne, et dans les prochaines heures la Roumanie et l’Autriche : nos partenaires viennent en aide à la France face aux incendies. Merci à eux. La solidarité européenne est à l’œuvre !
— Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) August 11, 2022
Këtë verë Franca dhe një numër vendesh të tjera evropiane kanë parë një valë zjarresh vdekjeprurëse, të shkaktuara nga temperaturat rekord dhe thatësirat në të gjithë kontinentin.
Më shumë se një mijë vdekje janë raportuar si pasojë e temperaturave të nxehta në Portugali dhe Spanjë.
Ndryshe, zjarri në qytetin Bordeaux ka filluar më 10 gusht duke detyruar evakuuimin e rreth 6 mijë njerëzve dhe duke shkatërruar të paktën gjashtëmbëdhjetë shtëpi.
Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin ka thënë se ka “dyshime të mëdha” se zjarri “është vepër e zjarrvënësve”.
Mijëra persona janë evakuuar pasi zjarret kanë shkatërruar fshatrat franceze