Të enjten e 11 gushtit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës(ShBA), Jeffrey Hovenier, me të cilin ka biseduar për situatën e sigurisë në vend, si dhe në fushën e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes.
Siç njofton Presidenca, në këtë takim kanë diskutuar për vazhdimin e koordinimit mes institucioneve të Kosovës dhe ShBA-së në adresimin e çështjeve prioritare.
Po ashtu edhe më katër gusht, e para e vendit ka pritur në takim ambasadorin amerikan Hovenier, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për “vazhdimin e koordinimit për masat e reciprocitetit”.
Në njoftimin nga faqja zyrtare e Presidencës ishte bërë e ditur se në takim u diskutua edhe për takimin e suksesshëm me sekretarin e Shtetit, Antony Blinken të realizuar në Washington gjatë vizitës në ShBA.
“Në këtë drejtim palët kanë diskutuar për hapat e mëtutjeshëm dhe bashkëpunimin konkret me qëllim të thellimit të raporteve mes dy shteteve”, thuhej në njoftim.
Po ashtu, Presidentja Osmani e kishte njoftuar Ambasadorin Hovenier për progresin e Kosovës në drejtim të përmbushjes së zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci, me ç’rast shprehu mirënjohje për vlerësimin pozitiv të punës së institucioneve të Kosovës nga ana e Sekretarit Blinken.
Ambasadori amerikan Hovenier për shtyrjen e vendimit nga Qeveria e Kosovës për reciprocitet ndaj Serbisë, kishte thënë se masa e reciprocitetit të targave dhe ajo e dokumenteve kanë qenë të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar.