Të enjten e 11 gushtit, Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës(ShBA), Merrick Garland ka konfirmuar se agjentët federalë kanë kontrolluar pronën e ish-presidentit, Donald Trump në Florida për të hetuar nëse ai ka marrë dokumente presidenciale nga Shtëpia e Bardhë ndërsa po largohej nga detyra.
Garland ka thënë se personalisht kishte miratuar vendimin për të kontrolluar shtëpinë e Trump, raporton Reuters.
Ai tha se Departamenti i Drejtësisë i kishte kërkuar një gjykate të zhbllokonte një urdhër kërkimi të paraqitur si pjesë e hetimit për shkak të “interesit publik”, pasi vetë Trump njoftoi për hetimet në një deklaratë të hënën mbrëma.
Kërkimi në resortin Mar-a-Lago të Trump në Palm Beach shënoi një përshkallëzim të rëndësishëm në një nga hetimet e shumta që ai po përballet që nga koha e tij në detyrë dhe në biznesin privat.
Departamenti i Drejtësisë i Garland është përballur me kritika të ashpra dhe kërcënime në internet në këtë javë pas hetimeve.
Mbështetësit e Trumpit dhe disa nga kolegët e tij republikanë në Uashington, kanë akuzuar demokratët se kanë armatosur burokracinë federale.
Ndryshe, të hënën e tetë gushtit, Federal Bureau of Investigation (FBI) ka ekzekutuar një urdhër kontrolli në resortin Mar-a-Lago të Donald Trump në Palm Beach, Florida, si pjesë e një hetimi për trajtimin e dokumenteve presidenciale, duke përfshirë dokumente të klasifikuara, që mund të jenë dërguar atje.
Ish-presidenti i ShBA-së, Trump konfirmoi se agjentët e FBI-së ishin në Mar-a-Lago dhe ka thënë se “ata madje hynë në kasafortën time”.
Ai ishte në Kullën Trump në New York, kur u ekzekutua urdhri i kontrollit në Florida, tha një person i njohur për CNN.
“Shtëpia ime e bukur, Mar-A-Lago në Palm Beach, Florida, është aktualisht nën rrethim, në bastisje dhe e pushtuar nga një grup i madh agjentësh të FBI-së”, tha Trump në një deklaratë të hënën në mbrëmje.
FBI bastis pronat e Donald Trump për hetim të disa dokumenteve