Gjatë vizitës së tij në Doganën e Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ajo është thelbi i sigurisë publike të shtetit.
Në një konferencë për media, ai është shprehur se shtimi i të hyrave doganore është duke u rritur nga viti në vit.
Sipas tij, këtë vit të hyrat janë rritur për 14% në krahasim me vitin e kaluar në të njëjtën periudhë.
“Për gati 14% janë rritur të hyrat në këtë vit krahasuar me periudhën e kaluar, është interesante se në vitin e kaluar që kemi pasur konfiskime 2 milionë euro sivjet kemi 5 milionë euro”, ka deklaruar Kurti.
Sipas kryeminsitrit të Kosovës, me rritjen e të hyrave është rritur edhe besimi i qytetarëve te dogana.
“Të hyrat e gjithmbarshme për vitin 2021 janë mbi 30% më shumë sesa në vitin 2020. Besueshmëria te qytetarët për doganat është rritur, në vitin e kaluar ka qenë mbi 18% më e ulët sesa në këtë vit”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, sipas Kurtit, është përmirësuar edhe koha e zhdoganimit.
“Një studim i Bankës Botërore ka treguar që koha e zhdoganimit ka përmirësim në vlerën 36% për import dhe 16% për eksport, kjo është e rëndësishme për investitorët e huaj dhe për komunitetin e biznesit”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se konfiskimet e mallrave të ndryshme janë bërë çështje të përditshme të Kosovës. Sipas tij, këto veprime të shtetit janë mesazh për ata që tentojnë të kryejnë veprime ilegale.
Ai ka bërë të ditur se shumë shpejt do të krijohen terminale doganore shtetërore të cilat sipas tij do t’u shërbejnë qytetarëve dhe bizneseve.