Prokurorja e Malit të Zi, Andrijana Nastiq, pas përfundimit të hetimeve, ka thënë për TV Vijesti se kanë gjetur nëntë persona të vdekur në vendngjarje dhe se nga Qendra Klinike kanë marrë informacione se dy persona tjerë kanë vdekur pas plagëve të marra, raporton Vijesti.
Nastiq, ka deklaruar se sipas dyshimeve fillestare, 34-vjeçari, Vuk Boriloviq ka vrarë 11 persona në Cetinë, i cili pas këtij sulmi me armë zjarri është vrarë nga një bashkëqytetar dhe jo nga policia, siç është raportuar më parë.
Dy të plagosur janë shtruar në spitalin e Cetinës, ndërsa katër të plagosur janë transportuar në Qendrën Klinike në Podgoricë.
Qendra Emergjente e KCCG tha për TVCG se një burrë u pranua me lëndime të rënda në kokë dhe gjoks.
Nga dëshmitarët okularë në vendngjarje mësohet se sulmuesi ka kaluar nëpër lagje dhe ka qëlluar rastësisht në drejtim të qytetarëve që ndodheshin aty.
Mësohet se tragjedisë i ka paraprirë një konflikt familjar, pas së cilit sulmuesi ka qëlluar kalimtarët në rrugë, raporton mediumi malazez, Vijesti.
Të shtëna me armë në Cetinë, më shumë se dhjetë persona të vrarë
Për këtë tragjedi, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka bërë të ditur se Qeveria e këtij vendi do të shpallë tri ditë zie si shenjë solidarizimi me dhimbjen e familjarëve të 11 viktimave që kanë humbur jetën.
Për këtë ngjarje ai kishte thënë se Mali i Zi nuk mban mend të ketë ndodhur një tragjedi sikurse kjo.
Ndërkaq, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kishte reaguar në lidhje me këtë sulm duke thënë “duhet të solidarizohemi me familjarët e viktimave në këto momente të vështira”.
Ai i kishte bërë thirrje Qeverisë që të shpallë ditë zite në Mal të Zi për këtë tragjedi sepse është një ngjarje e paharruar që prekë gjithë Malin e Zi.
Qeveria e Malit të Zi shpall tri ditë zie për tragjedinë në Cetinë