Bashkimi Evropian, të hënën ka paralajmëruar se do të shqyrtojë mundësitë për sanksione të reja ndaj Rusisë, ka raportuar Zëri i Amerikës.
Përmes një deklarate, Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimi Evropian, Josep Borell, ka thënë se BE-ja do ta shqyrtojë çështjen e sanksioneve me urgjencë.
Masakrat e kryera në qytetin e Buçës, Borell i ka cilësuar si mizore dhe se sipas tij janë duke ofruar ndihmë për prokurorët ukrainas për t’i dokumentuar krimet e luftës.
Sulmet e Rusisë, i ka dënuar edhe Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, duke e akuzuar shtetin rus për akte mizorie.
Për të diskutuar në lidhje me luftën në Ukrainë, Blinken do të niset për në Bruksel për t’u takuar me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s.
Reagim për maskrën në Buça ka pasur edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres. Ai përmes një postimi në rrjetin social Tëitter, ka thënë se duhet të ketë hetim për këtë tragjedi.
“Jam thellësisht i tronditur nga imazhet e civilëve të vrarë në Bucha, Ukrainë. Është thelbësore që një hetim i pavarur të çojë në llogaridhënie efektive”, ka thënë Guterres.
Se nevojiten më shumë sanksione kundër shtetit rus, është shprehur edhe presidenti francez Emmanuel Macron.
Kryeprokurorja e Ukrainës, të dielën ka njoftuar se kanë gjetur mbi 400 trupa të pa jetë rreth qytetit të Kyievit.
Këto akuza i ka hedhur poshtë shteti i Rusisë, duke thënë se pamjet në qytetin e Buçës, janë të inskenuara nga Ukraina në bashkëpunim me vendet perëndimore.