Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka publikuar disa blerje të armatimit që janë bërë nga Ministria e Mbrojtjes.
Mehaj ka treguar se brenda periudhës së qeverisjes së deritanishme janë zotuar mbi 50 milionë euro për blerje të armatimit duke shtuar se buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes ka qenë 67 milionë euro, në qeverinë Kurti është rritur në 102.3 milionë.
“Vetëm për një vit e gjysmë kemi rekrutuar 1240 ushtarë të rinj. Së shpejti do të hapet konkursi edhe për 612 ushtarë aktivë dhe 367 ushtarë rezervë. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë qeverisje tjetër”, shkruan Armend Mehaj në Facebook.
Ministri i Mbrojtjes ka shtuar se deri më tani kanë zotuar 28.6% të buxhetit për blerje dhe kjo përqindje do të dyfishohet brenda javëve të ardhshme, kur do të përmbyllen blerjet që janë në proces.
Armend Mehaj ka përfunduar duke thënë se Ministria e Mbrojtjes, vitin e kaluar ka shpenzuar 96% të buxhetit.
“Këtë nivel do ta mbajmë edhe në vazhdim”.