Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka thënë se në gjysmën e parë të këtij viti janë nënshkruar 65 marrëveshje me komunat.
Një reagim i tillë vjen pas konferencës së Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) të shtunën, përmes së cilës e quante qeverinë në pushtet sikurse “Qeveria e zero projekteve” duke ngulur këmbë se ajo nuk kishte shfrytëzuar mjaftueshëm buxhetin për investime kapitale.
“Për të qenë sa më transparent dhe bashkëpunues, procedurat e prokurimit dhe realizimit të këtyre projekteve u janë besuar komunave. Në momentin që projektet realizohen në teren nga Komunat, MAPL kryen pagesat dhe njëkohësisht edhe shpenzimin e buxhetit”, ka shkruar MAPL, në Facebook.
Në një konferencë për media, Xhafer Tahiri, ish-kryetari i Vushtrrisë dhe njëherësh, antëtari i LDK-së, kishte numëruar shfrytëzimet e buxhetit për shpenzime kapitale nëpër sektorë të ndryshëm, duke theksuar se asnjëra nga ministritë nuk e ka shfrytëzuar potencialin e saj.
“Bazuar në të dhënat 6 mujore, LDK-ja me shifra konkrete po prezanton paaftësinë e Qeverisë. Është skandal që Qeveria e Kosovës e ka zero investimin e kapitaleve përgjatë gjysmës së parë të vitit 2022”.
Përkrah Tahirit, prezente ishte edhe Jehona Lushaku, nga Forumi i Gruas në LDK.
Ajo ka thënë se mospërdorimi i buxhetit nga ana e Qeverisë tregon se Qeveria në fjalë nuk e përdor buxhetin që ka për të adresuar nevojat jetike për qytetarët. Si rrjedhojë, ajo “dëshmon se është e paaftë dhe do të mbetet Qeveri e zerove”.
LDK kritikon Qeverinë: Katër ministri nuk e kanë realizuar fare buxhetin për investime kapitale