“Numri i kandidatëve që kanë aplikuar në afatin e parë të konkursit për pranimin e studentëve të rinj, në studimet themelore – baçelor për këtë vit akademik, është 7 mijë e 904”.
Kështu ka bërë të ditur rektorati i Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për Portali Dukagjini, ku theksohet se kjo shifër nuk përfshin programet Fizikë dhe Gjeografi, për të cilat konkursi për aplikim ka vazhduar të jetë i hapur deri në momentin e dërgimit të statistikave.
Infermieria është një nga programet me numrin më të madh të aplikantëve.
Pos saj, programet e tjera ku studentët e ardhshëm të vitit akademik 2022/2023, kanë shprehur më shumë interesim janë, Fakulteti i Juridikut, Inxhinierisë Kompjuterike dhe Softuerike, Mjekësisë së përgjithshme, Psikologjisë, Stomatologjisë e të tjera.
Ndryshe nga UP-ja, në Universitetin e Pejës,”Haxhi Zeka”, numri i aplikuesve është më i ulët.
Për këtë vit akademik kanë aplikuar, gjithsej, 124 kandidatë.
Prej 124 aplikimeve, janë pranuar, gjithsej, 94 studentë.
Në Fakultetin e Menaxhimit në Turizëm, Hotelieri dhe Mjedis, kanë aplikuar gjithsej 62 aplikues, prej tyre 35 vajza dhe 27 djem. Nga ky numër, në këtë drejtim janë pranuar 41 studentë, 20 vajza dhe 21 djem.
Ndërsa, në drejtimin Menaxhment në Turizëm (gjuhë boshnjake), janë pranuar katër studentë, tri vajza dhe një djalë.
Në Fakultetin e Agrobiznesit në programin e studimit – Teknologji e Prodhimit Bimor kanë qenë 25 aplikues, ku nëntë prej tyre ishin vajza kurse 16 të tjerë djem. Nga ky numër, janë pranuar gjithsej 20 studentë, gjashtë prej tyre vajza dhe 14 djem.
Në anën tjetër, në programin e studimit – Agromjedis dhe Agroekologji kanë qenë gjashtë aplikues, një prej tyre vajzë dhe pesë të tjerë djem. Që të gjithë janë pranuar si studentë të vitit akamdemik 2022/2023.
Kurse në Fakultetin e Arteve, në programin e studimit – Edukim në Muzikë, kanë qenë 19 aplikues, ku 10 prej tyre vajza kurse nëntë të tjerë djem. Vetëm 16 nga ta janë pranuar, tetë prej tyre vajza dhe tetë të tjerë djem.
Ndërkaq, në programin e studimit – Edukim arstistik në Interpretim kanë aplikuar, gjithsej, tetë persona, tri vajza dhe pesë djem. Por vetëm njëra nga to nuk arriti të bëhej pjesë e këtij programi.
Në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, në konkursin për regjistrimin e studentëve të rinj për të njëjtin vit akademik, i cili ka qenë i hapur që nga 12 korriku e deri më 19 korrik, kanë aplikuar, gjithsej, 793 kandidatë, prej tyre 542 vajza dhe 251 djem.
Nga numri i përgjithshëm i studentëve që kanë aplikuar në afatin e parë për regjistrim, fakulteti më i frekuentuar në këtë universitet, sipas statistikave të dërguara për Portali Dukagjini, është ai i Edukimit, i cili pasohet nga ai i Filologjisë.
Në Fakultetin e Edukimit, kanë aplikuar, gjithsej, 215 studentë, 200 prej tyre vajza dhe 15 prej tyre djem.
Kurse në Fakultetin e Filologjisë, numri i përgjithshëm i aplikantëve është 187, ku 150 prej tyre janë vajza dhe 37 të tjerë djem.
Pas tyre, interesim të madh të studentëve kishte edhe në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike.
Numri i përgjithshëm i aplikantëve është 175, ku 46 prej tyre janë vajza kurse 129 të tjerë djem.
Ndërkaq, numri i përgjithshëm i kandidatëve për t’u bërë pjesë e Faluktetit Ekonomik, është 112, ku 68 prej tyre janë vajza kurse 44 djem.
Ndryshe nga ai Ekonomik, në Fakultetin Juridik, kanë aplikuar vetëm 81 kandidatë, 62 prej tyre janë vajza kurse 19 të tjerë djem.
Përveç tyre, në Fakultetin e Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, kanë aplikuar 23 aplikantë, 16 prej tyre vajza dhe shtatë të tjerë djem.
Në Universitetin “Ukshin Hoti”, në vitin akademik 2021/2022 janë gjithsej tre mijë e 618 studentë, prej tyre tre mijë e 315 në nivelin Bachelor dhe 303 në nivelin Master. Nga ata, dy mijë e 455 janë vajza dhe një mijë e 163 djem.
Lidhur me numrin e përgjithshëm të aplikuesve, Portali Dukagjini ka siguruar edhe statistikat nga Universiteti i Ferizajt.
308 është numri i përgjithshëm i kandidatëve të pranuar në afatin e parë për vitin akademik 2022/2023.
Në Fakultetin e Arkitekurës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit, në programin Arkitekturë e Interierit dhe Dizajnit të Mobileve, janë pranuar gjithsej 49 studentë, 33 prej tyre vajza dhe 16 prej tyre djem.
Ndërsa, në të njëjtin universitet, por në programin Dizajni dhe Konstruksionet e Produkteve të Drurit, janë pranuar gjithsej gjatë studentë, të gjithë nga ta janë djem.
Dhe në programin Arkitekturë e gjelbër dhe Dizajni i Interierit, janë pranuar 20 studentë, 14 prej tyre vajza dhe gjashtë nga ta djem.
Në Fakultetin e Arteve të Aplikuara, në programin Dizajn Grafik dhe Multimedia, janë pranuar gjithsej 31 studentë, 19 prej tyre vajza dhe 12 djem.
Kurse në Fakultetin e Turizmit dhe Ambientit, në programin Menaxhment i Hotelerisë dhe Turizmit, janë pranuar gjithsej 51 studentë, 32 vajza dhe 19 djem.
Në Fakultetin e Inxhinerisë me Informatikë, në programin Inxhineri Industriale me Informatikë, janë pranuar gjithsej 15 studentë, nëntë vajza dhe gjashtë djem. Kurse në programin Informatikë e Aplikuar janë pranuar 35 studentë, 17 prej tyre vajza dhe 18 djem. Ndërsa, në programin Inxhinieria dhe Menaxhimi i Prodhimit, janë pranuar shtatë studentë, dy prej tyre vajza kurse pesë të tjerë djem.
Në Fakultetin e Menaxhimit, programi Menaxhimi i Biznesit dhe Ndërmarrësia, janë pranuar 62 studentë, 36 vajza dhe 26 djem.
Dhe në Fakultetin e Turizmit dhe Ambientit, në programin Menaxhimi dhe Inovacioni në turizëm, janë pranuar gjithsej 32 studentë, 23 vajza dhe nëntë djem.
Statistikat e përgjithshmë të studentëve të pranuar në universitetet publike për vitin akademik 2020/2021
Mbi shtatë mijë më shumë se djem ka qenë numri i studenteve vajza, të cilat ndjekin studimet në nivelin Bachelor, në universitetet publike të Kosovës, për vitin akademik 2020/2021.
Fakulteti i Edukimit ka qenë më i frekuentuari nga të gjitha drejtimet e tjera nga ana e studenteve vajza në universitetet publike të Kosovës.
Sipas statistikave të dërguara nga Universiteti i Prishtinës, “Hasan Prishtina”, për vitin akademik 2020/2021 në nivelin Bachelor janë të regjistruar, gjithsej, 27 mijë e 120 studentë.
Prej tyre, kanë qenë gjithsejtë 16 mijë e 860 studente vajza, ndërsa 10 mijë e 264 studentë djem.
Në UP, studimet në fushën e ekonomisë konsiderohen si më të frekuentuarat nga studentët.
Në këtë universitet dhe në këtë drejtim, në të njëjtin vit akademik janë regjistruar dy mijë e 743 studente vajza duke i lënë pas fakultetet si ai i Juridikut me vetëm 16 studente më pak dhe Fakultetin e Mjekësisë me 716 studente më pak sesa ai i fushës së ekonomisë.
Ndërsa, sa i përket numrit më të vogël të studenteve vajza, drejtimi më pak i frekuentuar është Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike me gjithsej 209 studente.
Në radhë të dytë si fakulteti më pak i frekuentuar është Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit me vetëm 216 studente, kurse ai i Ndërtimtarisë me 270.
Sa i përket numrit të studentëve djem pas Fakultetit Ekonomik radhitet ai Juridik me një mijë e 314 studentë duke e lënë pas Fakultetin e Mjekësisë me një mijë e 204 studentë djem.
Ndjekja e studimeve në Fakultetin e Edukimit për studentët djem është e vogël.
Në këtë fakultet janë regjistruar vetëm 76 studentë djem. Interesimi i vogël i tyre qëndron edhe për Fakultetin e Arteve ku gjithsejtë për vitin akademik 2020/2021 janë regjistruar 219 studentë.
Fakulteti i Arkitekturës radhitet si i treti me më pak studentë djem, me gjithsejtë 236.
Në anën tjetër ndryshe nga UP-ja, në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, numri më i lartë i studenteve vajza për këtë vit akademik dhe për nivelin Bachelor, është në Fakultetin e Edukimit, në të cilin janë regjistruar 183 studente, numër ky që është më i lartë për 167 më shumë sesa i studentëve djem.
Në këtë universitet, Fakulteti i Shkencave Aplikative mbetet si drejtimi me më pak interesim nga ana e të rinjve, ku gjithsejtë janë të regjistruar 25 studentë, 16 prej tyre vajza dhe 9 prej tyre djem.
Numri total i të regjistruarve për këtë vit akademik, është 711.
Marrë në tërësi, Fakulteti i Edukimit mbetet më i kërkuari në këtë qytet nga ana e studenteve vajza, ku për të gjitha vitet momentalisht në këtë drejtim janë të regjistruar një mijë e 270 femra dhe 114 djem.
Kurse, numri i përgjithshëm i studentëve të cilët vijojnë studimet në Fakultetin Ekonomik është dy mijë e 558, ku një mijë e 059 janë studente kurse një mijë e 499 studentë djem.
Shkencat Aplikative sikurse në UP ashtu edhe në universitetin e Gjilanit mbeten me numrin më të ulët të studentëve, me gjithsejtë 58.
Në bazë të të dhënave nga Universiteti i Prizrenit, “Ukshin Hoti”, për vitin e parë akademik janë të regjistruar, gjithsej, një mijë e 365 studentë, prej tyre 767 janë vajza kurse 598 janë djem.
Në këtë universitet, Fakulteti i Edukimit është më i frekuentuar nga studentet, ku 246 prej tyre janë femra duke lënë pas vijimin e studentëve djem në këtë drejtim me gjithsejtë 34.
Ndërkohë, Fakulteti Ekonomik ka numrin më të madh të studentëve, ku numri i përgjithshëm i tyre për vitin e parë ishte 335, që sërish mbizotërojnë vajzat.
Numri më i vogël i studentëve në këtë universitet është në Fakultetin e Shkencave të Pyjeve dhe Mjedisit, me gjithsej 39 studentë, 20 prej tyre djem ndërsa 10 të tjerë vajza.
Ndërkaq, sa i përket numrit të studentëve në universitetin “Fehmi Agani”, në Gjakovë, në vitin akademik 2020/2021 janë regjistruar gjithsejtë 323 studentë, ku numri më i lartë është i studenteve vajza me gjithsej 276 kurse numri i djemve ishte 47.
Edhe në këtë universitet, Fakulteti i Edukimit qëndron si fakulteti me më së shumti vajza të regjistruara.
Numri total i tyre për këtë vit është 191 duke e lënë shumë mbrapa numrin e djemve me vetëm nëntë prej tyre.
Në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, numri total i të regjistruarve për vitin e parë akademik është 516.
Edhe në këtë universitet, vajzat janë ato të cilat prijnë në listën e statistikave.
Nga numri i përgjithshëm, 304 prej tyre janë studente vajza të cilat i ndjekin studimet në këtë universitet ndërsa numri i atyre djem është 212.
Drejtimi i Turizmit dhe Hotelerisë në Fakultetin e Turizmit dhe Ambientit të Turizmit dhe Hotelerisë, numri total i studentëve është 150, ku prej tyre, 87 janë vajza kurse 63 janë djem.
Nga numri i përgjithshëm, janë gjithsej 837 studentë në universitetin “Isa Boletini”, në Mitrovicë. Fakulteti më i frekuentuar është ai i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, ku numri i studenteve vajza është shumë më i vogël sesa i atyre studentëve djem.
Nga 243 studentë, 77 prej tyre janë vajza, ndërsa 166 prej tyre janë djem.
Ndërkaq, numri më i madh i studenteve vajza në këtë universitet mbetet në Fakultetin e Edukimit, ku nga 159 studentë, 155 prej tyre janë vajza duke lënë pas numrin e studentëve djem me vetëm katër prej tyre.
Ndryshe, nga universitetet e tjera, në Universitetin “Haxhi Zeka”, në Pejë, numri i studentëve për vitin e parë është gjithsej 812, dhe në bazë të të dhënave nga ky universitet, numri i studentëve djem është më i madh sesa i atyre vajza.
Nga numri i përgjithshëm, 423 prej tyre janë studentë djem, ndërsa 389 prej tyre janë vajza.
Fakulteti më i ngarkuar nga studentët në këtë qytet, është ai Juridik me gjithsejtë 261 studentë, ku numri i studenteve vajza dallon për tre më pak sesa i atyre djem.
Megjithatë, duke u bazuar në këto statistika, gjinia femërore qëndron në nivel më të lartë sa i përket studimeve në nivelin Bachelor për vitin akademik 2020/2021.