Paralajmërim të një fushate psikologjike të Qeverisë Kurti, i ka quajtur paralajmërimet e KEDS-it për reduktime të energjisë elektrike, Besnik Tahiri i AAK-së.
Sipas tij, “po na matet pulsi, që nëse durojmë 2 orë verës, do të mund të duronim edhe 12 orë dimrit”.
Tahiri ka thënë se këto paralajmërime janë thirrje për përgatitje të një “dimri të gjatë”.
Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), ka njoftuar se të hënën e 15 gushtit do të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike.
Përmes një komunikate për media, KEDS-i ka njoftuar se këto kufizime, në bazë të planit të dërguar gjatë ditës së hënë, konsumatorët do të kenë nga gjashtë orë energji elektrike dhe dy orë kufizime.
Sipas njoftimit, energjia elektrike e blerë deri më tani ka shkaktuar humbje enorme.
“Gjatë shqyrtimit të jashtëzakonshëm tarifor, rregullatori kishte marrë parasysh subvencionin e qeverisë prej 100 milionë eurosh. Asnjë cent nga ajo shumë nuk është shpërndarë te furnizuesi. Kjo, e ka rënduar gjendjen edhe më tepër. Sot, disa muaj pas, të gjitha mundësitë financiare janë shteruar”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me këto paralajmërime për reduktime kanë reaguar të gjitha partitë opozitare.