Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë të përbashkët me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se Shqipëria i ka dhënë mbështetje të parezervë Kosovës në të gjitha periudhat.
Sipas së parës së vendit, Shqipëria ka qënë zëri i Kosovës aty ku nuk ka qenë e përfaqësuar.
Osmani duke nderuar presidentin Begaj për vizitën zyrtare, i ka thënë “Nuk po bëni vetëm vizitë zyrtare në Kosovë, por po vizitoni motrat e vëllezërit, prandaj mirëserdhët në shtëpi”.
Osmani shpreson që gjatë udhëheqjes së Begajt, do të intensifikohen marrëdhëniet mes të të dyja vendeve dhe të bëhet konsolidimi i pozicionit të Kosovës në sytë e Evropës.
Ajo shpreson që do të fuqizohet mbështetja e Shqipërisë ndaj Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian(BE) sikurse edhe në NATO.
Po ashtu, Osmani ka thënë se është koha për një traktat me Shqipërinë për të reaguar në rast të cenimit të të dyja shteteve.
“Do të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE, që Shqipëria e ka kaluar me sukses, ky vend që është pjesë e NATO-s siguron më shumë rajonin tonë pasi siguria në këtë kohë është një prioritet”, ka thënë ndër të tjera Osmani.
Ndërsa për situatën në veri, ka thënë se gjithmonë do të ketë koordinim me akterët ndërkombëtarë për t’i shkatërruar tendencat luftënxitëse të Serbisë.
“Ne presim që BE të jetë më e zëshme karshi tendencave stabilizuese të Serbisë”, ka shtuar Osmani.
Sipas saj, nuk mund të ketë ekuivalencë të palëve, kur Serbia po përdor retorikë luftënxitëse ndaj Kosovës duke thënë “Presim sinjale të qarta nga BE për Serbinë”.
Ndryshe, të hënën e 15 gushtit, presidenti i ri i Shqipërisë, Bajram Begaj, është pritur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me ceremoni të lartë shtetërore.
Vizita e presidentit të Shqipërisë, do të jetë vizita e parë zyrtare në një vend tjetër pas marrjes së mandatit si president i Shqipërisë.
Begaj pritet që gjatë ditës të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
Po ashtu, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, presidenti i Shqipërisë do të bëjë homazhe te varrezat e familjes Jashari dhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova. Ai, gjithashtu, do të bëjë nderime para Memorialit për Personat e Zhdukur.