Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në vizitën e tij të parë në Kosovë si president i Shqipërisë, ka folur për kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke thënë se “përbën një faqe të ndritur të historisë së përbashkët, që bën krenarë çdo shqiptarë”.
Duke aluduar në raportin e Dick Marty-t, i cili i kishte akuzuar disa nga krerët UÇK-së për trafikime me organe njerëzore, Begaj tha se raporte të tilla janë të trilluara dhe se ato tentojnë që ta njollosin gjakun dhe vetëflijimin e shqiptarëve për liri, por që sipas tij, një gjë të tillë nuk do ta arrijnë asnjëherë.
Po ashtu, presidenti i Shqipërisë, foli edhe për ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, për të cilin tha se është frymëzim për të gjithë shqiptarët në Kosovë e Shqipëri.
“Ibrahim Rugova është shembull frymëzimi për të gjithë politikanët në Kosovë dhe Shqipëri. UÇK, përbën një faqe të ndritur të historisë së përbashkët, që bën krenarë çdo shqiptarë asnjë raport i trilluar që tenton ta njollosë gjakun dhe vetëflijim e shqiptarëve në mbrojtje të lirisë nuk do të arrijë ta zbehë këtë trashëgimi të lavdishme”, ka deklaruar Begaj.
Begaj u shpreh se shteti i Shqipërisë e përkrah Kosovën në çdo iniciativë të sajën për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare. Sipas tij, vendimi i Kosovës për të aplikuar në Këshillin e Evropës, ka qenë i duhur.
Shtetin e Shqipërisë dhe të Kosovës, presidenti Begaj e ka quajtur si trashëgimi të Ismail Qemajlit dhe Ibrahim Rugovës.
Gjatë ditës, Begaj pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Ndërkaq partitë opozitare është planifikuar që t’i takojë të martën.