Komandanti i parë i KFOR-it, Erhard Buhler, në një intervistë për Albanian Post, ka thënë se në veri të vendit ekziston një grup multietnik që vazhdimisht kanë kryer krime.
Ai ka bërë të ditur se provat që i kishin mbledhur në lidhje me veprimtarinë kriminale në atë pjesë të vendit, ia kanë dorëzuar EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.
Madje, sipas Bhuler-it, ai i mban ende në mend emrat, siç ka thënë, të kriminelëve atje.
“Po. I mbaj mend mjaft mirë emrat. Ekziston një grup multietnik i kriminelëve që u pasuruan në këtë zonë pa pothuajse asnjë sundim të ligjit deri më sot. Ne mblodhëm shumë informacione të inteligjencës ushtarake dhe ia dhamë EULEX-it dhe Policisë së Kosovës për ta shndërruar inteligjencën në prova, që mund të përdoren për të akuzuar këta kriminelë në gjykata’’, thotë Buhler.
Duke iu referuar situatës së tensionuar në veri, Buhler ka thënë se duhet të punohet për deeskalim të situatës.
Sipas tij, të dyja vendet duhet ta gjejnë rrugën e duhur për pajtim.
“Por unë mendoj se nuk është koha për përshkallëzim, por për deeskalim dhe pajtim. Kur bëhet fjalë për pajtimin, kjo i drejtohet kryesisht, por jo ekskluzivisht lidershipit aktual politik në Beograd, veçanërisht atyre që ishin në një mënyrë apo në tjetrën pjesë të regjimit të Millosheviqit. Mendoj se shumë njerëz në Serbi dhe në Kosovë janë shumë më larg kur bëhet fjalë për pajtimin’’, ka thënë ai.
I pyetur në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në NATO, komandanti i KFOR-it thotë se ende ka punë për të bërë, edhe pse sipas tij, në të kaluarën është bërë shumë.