Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje botës të vendosë sanksione të ashpra si përgjigje ndaj “shantazhit bërthamor” të Rusisë rreth termocentralit bërthamor Zaporizhzhia.
“Vazhdojnë granatimet provokuese të territorit të uzinës. Nën mbulesën e uzinës, pushtuesit po bombardojnë qytetet dhe komunitetet e afërta. Ushtria ruse fsheh municione dhe pajisje në objektet e uzinës. Stacioni është de facto i minuar,” tha Zelensky të hënën e 15 gushtit.
Presidenti ukrainas u shpreh se duhet të kalojnë nga diskutimet dhe thirrjet drejt sanksioneve të reja të ashpra kundër Rusisë, kundër “Rosatom” dhe të gjithë industrisë bërthamore të Rusisë.
Presidenti i Ukrainës ka pretenduar se Rusia “injoron” kërkesat e sigurisë të 42 vendeve që i kërkuan asaj të tërheqë forcat e saj nga stacioni, raporton CNN.
“Çdo incident rrezatimi në termocentralin Zaporizhzhia mund të jetë një goditje për vendet e Bashkimit Evropian, për Turqinë, për Gjeorgjinë dhe për vendet nga rajonet më të largëta. Gjithçka varet nga drejtimi dhe forca e erës. Nëse një katastrofë ndodh për shkak të veprimeve të Rusisë, pasojat mund të godasin edhe ata që heshtin për momentin”, shtoi Volodymyr Zelensky.
Presidenti ukrainas shtoi se nëse botës i mungon forca dhe vendosshmëria për të mbrojtur një central bërthamor, kjo do të thotë se bota do të humbas.
Zelensky paralajmëron ushtarët rusë në centralin bërthamorë të Zaporizhzhia