Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se gjatë takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili po qëndron për viztë në Kosovë, ka diskutuar për një pakt të përbashkët të mbrojtjes.
Në një konferencë për media, pas takimit, Haradinaj ka theksuar se në këtë takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin në energji.
“I kemi veçuar disa tema të rëndësishme. Kemi folur për çështjen e sigurisë, ka qenë iniciativë e imja për një pakt për mbrojtje të përbashkët, por duhet të zhvillohet një proces gradual, për shkak se Shqipëria është në NATO dhe ne kemi kujdesin e NATO-s këtu. E kemi diskutuar çështjen e hekurudhës dhe kemi folur për bashkëpunimin në energji”, ka thënë Haradinaj.
Derisa ka folur për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Haradinaj ka potencuar se Aleanca Veriatlatlantike (NATO), nuk do të lejojë destabilizimin e Ballkanit.
Haradinaj ka thënë se NATO e prirë nga Amerika nuk e lejon destabilizimin e Ballkanit.
“NATO e prirë nga Amerika nuk e lejon destabilizimin e Ballkanit. Ajo që për mua është e dhimbshme është se një retorikë artificiale e Kurtit dhe Vuçiqit për t’ia rritë cmimin. Të gjitha këto që ia bëjnë qytetarëve se do të ketë luftë, ka luftë, krejt është halli i Kurtit ta mbulojë marren me një marrëveshje për mossulmi”, shtoi Haradinaj.
Ndërkaq, sa i përket krizës energjetike në vend, Haradinaj e ka fajësuar Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Ai ka thënë se krejt kjo po ndodh si pasojë e “paaftësisë” së të parit të qeverisë.
“I kam parë në vazhdimësi rreziqet për situatën dhe mënyrën se si menaxhon qeveria Kurti me energjinë. Është një dështim i qeverisë. Çështja e reduktimeve shihet që është menaxhimi i keq i kësaj qeverie. Faji dihet ku është, është kjo qeveri, paaftësia e kësaj qeveri”, ka thënë ai.
Ndryshe, Begaj gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë si president, është takuar me homologen e tij Vjosa Osmani.
Pos Osmanit, Begaj ka takuar edhe kreun e ekzekutivit, Albin Kurti.
Gjatë qëndrimit në ditën e parë në Prishtinë, presidenti i Shqipërisë ka deklaruar se të dy vendet ndajnë aspiratat e njëjta drejt rrugës evropiane.
Ai ka thënë se Shqipëria e mbështet Kosovën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ndërsa ka theksuar se do të jetë zëri i Kosovës aty ku i jepet mundësia.
Gjatë së hënës, presidenti i Shqipërisë ka bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova si dhe familjes Jashari në Prekaz.