Kosova në dialog me Serbinë duhet të ecë përpara dhe jo të ngecë, thonë njohësit e politikës

Sipas politologëve, Kosova duhet të arrijë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Ata thonë se status quo krijon vetëm humbje në aspektin ekomomik dhe demografik

ilustrimi

Tensionet e vazhdueshme në veri të vendit dhe zvarritja e dialogut në Bruksel mund të krijojnë polarizime edhe më të mëdha mes Kosovës dhe Serbisë.

Bisedimet e deritanishme në Bruksel të negociuara nga Bashkimi Evropian (BE), sipas politologut Mentor Tahir, deri tani ishin të orientuara vetëm në aspekte teknike, duke improvizuar zgjidhje, por nuk kishin ofruar asgjë konkrete për të ardhmen politike.

Kjo situatë e krijuar në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë nuk është në favor të shtetit të Kosovës ka thënë Tahiri për Portalin Dukagjini.

Sipas tij, Kosova është i vetmi vend në rajon ku gati mungojnë krejtësisht investimet nga jashtë.

“Asnjë investitor serioz nuk do të dëshironte që asetet e tij t’i investojë në një vend ku e ardhmja e atij vendi nuk është e qartë”.

Tutje, ai ka sqaruar se jo të gjithë perceptojnë realitetin në të njëjtën mënyrë “siç e dimë ne që jetojmë në Kosovë, në realitetin e krijuar, se shumë çështje janë zgjidhur përfundimisht qysh më 1999, dhe sidomos me shpalljen e pavarësisë më 2008. Perceptimi në botë nuk është krejtësisht sikurse i im”.

A është e nevojshme për Qeverinë e Kosovës gjetja e një zgjidhje në mes dy vendeve fqinje apo zgjatja e status quo-s në vend?

“Po, sepse vendi shumë lehtë mund të ballafaqohet me krizë të ashpër ekonomike, siç është duke u ballafaquar me humbje demografike. Ndërsa në asnjërën nga këto çështje nuk mund të jepet një përgjigje pa pasur stabilitet ekonomik afatgjatë”, është përgjigjur Tahiri.

Mentor Tahiri, politolog

Ai ka thënë se kjo është në të mirë të shtetit të Kosovës, sepse shumë shtete nëpër botë janë duke pritur një zgjidhje në mes Kosovës dhe Serbisë për të marrë një qëndrim në raport me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

“Shumë shtete të cilat nuk janë të lidhura direkt me vlerat e shteteve perëndimore, janë duke pritur epilogun e bisedimeve me Serbinë. Ato shtete nuk duhet t’i nënvlerësojmë në asnjë mënyrë, sepse vetëm në kontinentin afrikan ka më shumë se 30 shtete që në asnjë mënyrë nuk prononcohen për shtetësinë e Kosovës, pa u zgjidhur çdo çështje me Serbinë”, ka theksuar ai.

Por, për të ardhur deri te një zgjidhje përfundimtare, cili duhet të jetë roli i Bashkimit Evropian në dialogun mes dy palëve?

“Kosova nga Bashkimi Evropian nuk është duke u trajtuar si shtet po sikurse territor, sepse në marrëveshjejet e deritanishme të nënshkruara me BE-në, sikurse Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA), nuk jepen elemente të shtetësisë në asnjë pjesë të tekstit, por lë të nënkuptohet njëfarë qëndrimi neutral i Bashkimit Evropian”, ka thënë Tahiri për Portalin Dukagjini.

Një temë tjetër e shumëpërfolur është edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë (AKS).

“Në bazë të memorieve të Dobrica Qosiq, ideatorit kryesor për ndarjen e Kosovës, idenë e tij për ndarje të Kosovës e kishte pranuar në mesin e dhjetorit 2002 edhe Zoran Gjingjiq, kryeministri i atëhershëm i qeverisë së Serbisë. Duke parë korrespondencën mes tyre, shihet se Gjingjiq më vonë e kuptoi se ky plan ishte i pamundur, si i tejkaluar për realitetin në Kosovë”.

“Si zgjidhje më realiste ai e konsideroi themelimin në të ardhmen të një entiteti serb. Se sa ka pasur konsistencë në Beograd për këtë synim (entitetin politik) po dëshmon koha, pavarësisht pushteteve që janë ndërruar atje”.

Tutje, ai ka sqaruar se komunat me shumicë Serbe kanë shumë të drejta se ato me shumicë shqiptarë.

“Komunat serbe kanë asimetri në Kushtetutën e Kosovës, sepse ato kanë mundësi që të themelojnë Uuniversitete, ndërsa komunat shqiptare nuk e kanë këtë të drejtë, madje as kryeqyteti i Kosovës, Prishtina”.

Politologu Tahiri më tej ka thënë se nëse AKS themelohet, ai duhet të ketë disa kritere që nuk janë duke u përmendur.

“Ne jemi ndaluar te kompetencat që komunat serbe kanë, rrjedhimisht edhe ASK”, por ajo që theksohet më e rëndësishme për Tahirin është “emërtimi i këtij asociacioni dhe simbolet e tij”.

Tahiri ka thënë se “Kosova nuk duhet që të bëjë të njëjtin gabim sikurse Bosnja dhe Hercegovina që të lejojë që të emërtohet në emër të përkatësisë etnike sikurse Republika Srpska, sepse kjo krijon pronësi të një komuniteti mbi një tokë që është e të gjitha komuniteteve”.

Për Tahirin nuk duhet të lihen emra dhe simbole që bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Ai ka përfunduar duke thënë se “Serbia e pranon realitetin në Kosovë vetëm administrativisht dhe kjo nuk ofron garanci për çështjen e shtetësisë së Kosovës. Por, kjo mund të zgjidhet nga ndërmjetësimi ndërkombëtar”.

Politologu, Agron Hoti

Ndërsa, politologu Agron Hoti, ka folur për rolin që duhet ta ketë Kosova në takimin e 18 gushtit në mes të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Hoti për Portalin Dukagjini është shprehur se “Vetë fakti që takimit në Bruksel do t’i paraprijë takimi me Shefin e NATO-s, e konfirmon rëndësinë e sigurisë dhe stabilitetit para çfarëdo ashpërsimi të retorikës që ngrit tensione dhe destabilizim të rajonit”.

Ai ka thënë se nga këto bisedime nuk pret ndonjë rezultat “në kuptimin e arritjes së shpejtë të ndonjë zgjidhjeje”.

“Mesazhi i këtij takimi do të jetë që dialogu duhet të vazhdojë dhe tensionet të ulen”.

Qeveria e Kosovës nuk duhet ta shmangë dialogun duke injoruar atë, thotë Hoti, pasi sipas tij “është interes i Kosovës zgjidhja sa më e shpejtë e problemit me Serbinë, ndërsa dihet se Serbia është e interesuar që sa më gjatë ta shtyjë problemin”.

“Fundja, Kosova është e bllokuar dhe izoluar rajonalisht, evropianisht dhe globalisht e jo Serbia. Prandaj, ruajtja e kësaj pat-gjendjeje shkon në interes të plotë të Serbisë e Rusisë”, ka thënë Hoti.

E për këtë arsye “Kosova duhet të futet në dialog dhe të shkojë dhëmb për dhëmb me Serbinë e jo të zmbrapset prej tij(dialogut)”.

Sipas politologut Hoti, kërkesa e Kosovës duhet të jetë “zgjidhje gjithëpërfshirëse me njohjen e pavarësisë në qendër, sepse topi po luhet në fushëlojën e Kosovës e jo të Serbisë”.

Por, a ka mundësi që të bien dakord për themelimin e Asociacionit më 18 gusht?

Kosova dhe Serbia kanë mospajtime për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe në Kosovë, sepse Serbia po kërkon që ai asociacion të jetë me përgjegjësi ekzekutive kurse Kosova pa përgjegjësi ekzekutive.

Për Hotin, Kosova duhet të merret vesh me Serbinë, sepse nuk e ka luksin ta presë pambarimisht Serbinë.

“Kosova atëherë duhet të veprojë ‘ose-ose’, t’i dërgojë të gjitha marrëveshjet me Serbi në Kushtetuese dhe më pas, bashkë me marrëveshjen për asociacionin t’i shfuqizojë të gjitha në Kuvend, kuptohet kjo nëse qeveria e Kosovës dëshiron të dëshmojë lidership”, ka shtuar ai.

Hoti ka thënë se kohët e vështira dëshmojnë se kush është lider i fortë, “prandaj kryeministri Albin Kurti duhet të lëvizë ose para ose mbrapa, pavarësisht çmimit politik që do të mund ta paguajë”.

“Shteti është më i rëndësishëm se karrigia e kryeministrit ose t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet, përfshirë asociacionin sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”.

Sipas Hotit, Kurti duhet t’i japë zgjidhje vendit e jo t’i shtyjë problemet, të cilat pastaj po na bëhen gjithnjë e më të mëdha.

A ka mundësi që situata në veri të eskalojë nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje në mes Kurtit dhe Vuçiqit?

“Nuk mund të ketë përshkallëzim të situatës, sepse Serbia i di pasojat. Vuçiqi nuk ka asnjë interes të bëhet një Putin i dytë në zemër të Evropës, sepse është shumë i vetëdijshëm se çfarë e pret. E ka provuar në vitin 1999, kur Serbia po rrezikonte të zhdukej nga harta e Evropës”, ka thënë Hoti.

Ai këtë ka argumentuar duke thënë “vetë fakti që Kryeministri i Kosovës dhe Presidenti serb do të takohen së pari me shefin e NATO-s, e tregon dorëzimin e Vuçiqit para NATO-s”.

Politologu Hoti ka përfunduar duke theksuar se “Serbia do të mundohet që Kosovën ta mbajë në dialog me zgjidhje parciale e jo finale”.

Pavarësisht kësaj, Kosova duhet të insistojë fuqishëm që të arrihet një Marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohjen në qendër, dhe e cila marrëveshje do t’i ngërthente në vete të gjitha marrëveshjet e gjertanishme, të cilat, sipas tij, patjetër që “do të duhej të ishin në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për të mos lejuar ‘shtet mbi shtet’ siç e kanë thënë vazhdimisht amerikanët”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika