40 milionët e ndarë për KOSTT-in javën e kaluar nga Qeveria e Kosovës, do të përdoren për të paguar edhe një herë tjetër humbjet që shkaktohen nga mospagesa e faturave të energjisë elektrike të qytetarëve në veri të Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka shpjeguar se Kosova ka obligime ndaj ENTSO-s, derisa për RTV Dukagjini shtoi se presin që kjo të eliminohet më së largu deri me 1 tetor duke u zbatuar marrëveshja për energji me Serbinë.
Përmes këtij vendimi të datës 10 gusht, Qeveria e Kosovës ia ndau Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike, KOSTT, 40 milionë euro.
Këto mjete, KOSTT ka konfirmuar për RTV Dukagjini se do t’i përdorë humbjet që shkaktohen nga mospagesa e faturave të energjisë elektrike e shpenzuar në veri të vendit.
Në përgjigje, KOSTT ka thënë se këto janë obligime financiare të KOSTT-it ndaj ENTSO-s.
E këtë, nuk e ka mohuar as zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu. Ai në emisionin FIVE tha se Kosova ka obligime ndërkombëtare ndaj ENTSO.
“Në këtë aspekt i kemi nga 40 milionë. Por ne presim që deri më 1 tetor të respektohet marrëveshja për energjinë”, ka thënë Kryeziu.
E veriu i Kosovës, sikurse edhe pjesa tjetër e vendit gjatë së hënës është përballur me reduktime të energjisë elektrike.
Kështu thotë aktivisti politik që jeton në Mitrovicë të Veriut, Aleksandar Arsinjeviq.
“Edhe ne këtu në veri, sikurse ju në jug kemi pasur reduktime gjatë ditës së djeshme. Ato kanë zgjatur për disa orë në pjesë të ndryshme”, ka thënë Arsinjeviq, aktivist politik.
Arsinjeviq është optimist se marrëveshja mes Kosovës e Serbisë për energjinë, do të nis së zbatuari së shpejti.
“Marrëveshja nuk është shumë problem që të implementohet. Ky më shumë, besoj unë, është një çështje teknike e cila do të përfundoj brenda dy ose tre muajve, pasi që kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti Aleksandar Vuçiq të takohen në Bruksel”, ka shtuar ai.
Zbatimin e marrëveshjes për energjinë, e konsiderojnë komplekse në Organizatën Aktiv.
“Është një marrëveshje e rëndësishme sepse çështja e energjisë po qëndron e pazgjidhur qe një kohë të gjatë. Ka qenë burim i shumë diskutimeve, madje edhe i tensioneve. Por, është një çështje shumë komplekse, jo diçka që mund të zgjidhet brenda natës. Prej çështjes së faturave se si do të paguhen, e deri tek të tjerat”, ka thënë Caleb Waugh, nga “Aktiv”.
Më 21 janar, Kosova dhe Serbia u dakorduan në Bruksel për një udhërrëfyes, sipas së cilit do të zbatojnë marrëveshjen për energjinë të arritur në vitin 2013.
Mirëpo, deri tash asnjërën prej pikave nuk e ka respektuar Serbia, ndryshe nga Kosova që ka ndërmarrë hapat e parë duke licensuar kompaninë Elektrosever.