Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, do të takohet të enjten në Ukrainë me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy dhe Presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.
Lajmi u konfirmua nga një zëdhënës i OKB-së, i cili njëherësh ka bërë të ditur se pas takimit të së enjtes, Guterres do të vizitojë portin e Detit të Zi të Odesa-s të premten, port ky ku eksportet e grurit kanë rifilluar sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga vetë OKB-ja.
Në këtë takim pritet të diskutohet mbi situatën e tensionuar në centralin bërthamor të Zaporizhias, transmeton REL.
Ukraina dhe Rusia kanë fajësuar njëra-tjetrën për bombardimet pranë centralit bërthamor që ndodhet në Ukrainën lindore. Ky central ishte marrë nga forcat ruse në fillimin e pushtimit të tyre.
Ndërsa të shtunën, Guterres pritet të vizitojë Qendrën e Përbashkët të Koordinimit në Stamboll.
Ndërkaq, tre porte të Detit të Zi u zhbllokuan muajin e kaluar sipas një marrëveshjeje midis Moskës dhe Kievit, të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia.
Kjo marrëveshje mundësoi dërgimin e qindra mijëra tonëve drithë ukrainas për blerësit ndërkombëtarë. Sipas Kombeve të Bashkuara, marrëveshja synon të lehtësojë një krizë globale të përkeqësuar ushqimore.