Të martën e 16 gushtit, dy ditë para takimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Derek Chollet, këshilltarin e Departamentit të Shtetit, bisedë të cilën shefi i ekzekutivit e ka quajtur të “frytshme”.
Kurti ka njoftuar se ka biseduar për shumë çështje për dialogun me Serbinë, duke theksuar rëndësinë e një marrëveshjeje të përqendruar në njohjen reciproke.
“Ai përcolli përshëndetjet e Sekretarit Blinken pas takimit tonë madhështor në Washington DC muajin e kaluar”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Po ashtu, kreu i Qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike edhe me të dërguarin special për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, duke theksuar se është e nevojshme që në takimin e 18 gushtit në Bruksel të diskutohet për marrëveshjen me Serbinë me njohje reciproke në qendër.
Kurti në bisedë telefonike me emisarin Peach, diskutojnë për takimin e 18 gushtit në Bruksel
Ndryshe, më 18 gusht, Kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Po ashtu, Zyra e Informacionit të BE-së ka publikuar agjendën e takimit të kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq që do të mbahet të enjten në Bruksel duke filluar në orën 10:30.
Sipas njoftimit, ky takim do të fokusohet në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ndryshe, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë.
Takimi i tyre i fundit është zhvilluar në korrik të vitit 2021.