Të martën e 16 gushtit, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës(ShBA), Joe Biden ka nënshkruar një projekt-ligj që synon të luftojë ndryshimet klimatike , të rrisë taksat mbi koorporatat dhe të zgjerojë mbulimin e kujdesit shëndetësor, raporton Reuters.
Projektligji, i quajtur “Akti i Reduktimit të Inflacionit”, është një arritje e madhe legjislative për demokratët përpara zgjedhjeve afatmesme si dhe konsiderohet si paketa më e madhe klimatike në historinë e ShBA-së dhe bëhet menjëherë një nga elementët kyç të presidencës dyvjeçare të Biden-it.
Ajo kaloi në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin javën e kaluar me mbështetjen e çdo demokrati por të asnjë republikani.
Në këtë paketë përfshihen masa të dizajnuara për të mbështetur alternativat e energjisë me emetim të ulët dhe për të ulur emetimet e gazrave serrë, si dhe për të ulur çmimet e barnave me recetë dhe për të rritur taksat ndaj koorporatave dhe të pasurve.
Legjislacioni do të mbledhë 700 miliardë dollarë nëpërmjet rritjes së taksave të korporatave dhe kursimeve të barnave me recetë, dhe do të shpenzojë rreth 400 miliardë dollarë për energjinë e pastër dhe dispozitat e kujdesit shëndetësor.
“Ky projekt-ligj është hapi më i madh përpara për të luftuar ndryshimet klimatike,” ka thënë Biden në një ceremoni nënshkrimi në Shtëpinë e Bardhë.
Kritikët republikanë kanë sulmuar shumë elementë të projektligjit, duke pohuar se shpenzimet e tij do të përshpejtojnë inflacionin në vend që ta frenojnë atë.