Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, ka zhvilluar takim me komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Ferenc Kajari.
Në njoftimin e zyrës së presidentit të Shqipërisë thuhet se, gjatë këtij takimi presidenti Begaj është informuar mbi situatën e sigurisë në Kosovë, në veçanti në Veri të saj.
Komandanti i KFOR-it, e ka vlerësuar profesionalizmin e efektivëve të FA-së, në misionin e KFOR-it.
Ndërkaq, Begaj vlerësoi rolin e pazëvëndësueshëm të NATO-s dhe KFOR-it, për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë dhe në të gjithë rajonin.
Presidenti Begaj është ndalur edhe në Pejë, ku është takuar me efektivë të Forcave të Armatosura.
“Rendi kushtetues i Kosovës nuk duhet cenuar”, ka thënë kreu i shtetit shqiptar, gjatë takimit të tij me efektivët e Forcave të Armatosura.
Derisa, vlerësoi kontributin e çdo efektivi të FA-së, Presidenti Begaj kërkoi kujdes në përmbushjen e misionit të tyre.
Ndryshe, Begaj gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë si president, është takuar me homologen e tij Vjosa Osmani.
Pos Osmanit, Begaj ka takuar edhe kreun e ekzekutivit, Albin Kurti.
Gjatë qëndrimit në ditën e parë në Prishtinë, presidenti i Shqipërisë ka deklaruar se të dy vendet ndajnë aspiratat e njëjta drejt rrugës evropiane.
Ai ka thënë se Shqipëria e mbështet Kosovën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ndërsa ka theksuar se do të jetë zëri i Kosovës aty ku i jepet mundësia.
Gjatë së hënës, presidenti i Shqipërisë ka bërë homazhe pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova si dhe familjes Jashari në Prekaz.
Ai po ashtu, është takuar edhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Por, takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, nuk u realizua.
Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka thënë se LDK shpreh keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me Presidentin e ri të Shqipërisë, Bajram Begaj, me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë.
Halimi tha se për dallim nga krerët insitucionalë paraprakë të Shqipërisë, presidentët e shkuar, Kryeminisrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprakë, presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qendrore të saj.
“Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj, të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë”, shtoi Sibel Halimi.
Zëdhënësja politike e LDK-së ka përfundur duke thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar siç ka qenë përherë.