Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, teksa ka thënë se javëve të fundit vendi po udhëhiqet nga frika, për të njëjtat i ka akuzuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Ai derisa ka theksuar se kur kryeministri javën e kaluar foli për luftën dhe presidentja këtë javë për traktatin e mbrojtjes, sipas Hoxhajt, të dy krerët e shtetit qëllimisht po mbjellin një atmosferë frike, “duke zëvendësuar temat e brendshme të krizës ekonomike dhe me sllogane të politikës së jashtme”.
“Një sllogan nga Qeveria e dëgjuam në muajin janar të 2022, për një marrëveshje ku Kosova dhe Serbia zotoheshin të mos e sulmojnë njëra-tjetrën! Një sllogan të ri e dëgjuam dje nga Presidentja e Kosovës për një traktat të mbrojtjes së ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Kosova, për shumë vite ka qenë e sigurt nga pikëpamja psikologjike, kurse në javët e fundit po udhëhiqet nga frika”, ka shkruar ai në Facebook.
Kjo sipas tij, nuk po bëhet për ta mbrojtur shtetin dhe sovranitetin, por për ta përmbushur egoizmin personal dhe populizmin partiak.
“Kjo është kohë që kërkon vendosmëri, maturi dhe qëndrueshmëri. Nuk është kohë e parullave si frymëzime të çastit drejt moçalit politik, nga ku s’mund të dalim assesi! Tani, takimin e 18 gushtit, a do ta filloni nga mos sulmi, apo nga mbrojtja”, shkroi ai.
Në anën tjetër, teksa Hoxhaj ka folur për partneritetin strategjik midis Kosovës dhe Shqipërisë, ai ka thënë se deklarata e Osmanit për traktatin e mbrojtjes së ndërsjellë është vetëm një slogan.
“Kosova ka një Partneritet Strategjik me Shqipërinë nga janari i 2014, i dalë nga mbledhje të qeverisë të përbashkëta, marrëveshje të nënshkruara, me sekretariat që koordinon tema dhe ku prioritet i lartë është fusha e sigurisë! Sigurisht, që ky mekanizëm do merrej me temën dhe përmbajtjen e traktatit para se të miratohej në Kuvend! Duket se nuk e dinë këtë? Por, të paktën, besoj që e dinë që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe që një traktat i tillë nuk ndodh pa koordinim me të”, shtoi ai.
Megjithatë, ish-ministri i Jashtëm, Hoxhaj, ka potencuar se ëhstë pro bashkëpunimit me Shqipërinë, si adresë kryesore e hartimit të Partneritetit Strategjik.
“Por, shqetësimi kryesor është paaftësia e tyre për të shfrytëzuar mundësitë pas rastit të Ukrainës, për t’u bërë të paktën pjesë e Partneritetit për Paqe të NATO-s”.
Ai thotë se agresioni rus duhet të përdoret për të rritur kapacitetin ushtarak, për ta izoluar Serbinë në rajon dhe anëtarësuar Kosovën në NATO.