Qëndrimi se Serbia e ka humbur Kosovën dhe se shteti serb nuk ka mundësi të rivendosë kontrollin e plotë mbi Kosovën po shprehet në një masë të madhe nga qytetarët serbë.
Kështu është bërë e ditur në hulumtimin e realizuar nga Instituti për Çështje Evropiane, ku thuhet se 44.2 për qind e qytetarëve mendojnë se Kosova tashmë është e humbur.
“Rreth 44.2 për qind e qytetarëve mendojnë se Kosova është e humbur, ndërsa 44.6 për qind janë të mendimit se nuk është dhe 11 për qind janë të pavendosur. Qëndrimin se Kosova është e humbur shprehet në një masë më të madhe nga gratë, të anketuarit e moshës 30-59 vjeç, të anketuarit me nivelin më të lartë të arsimimit, nga Vojvodina dhe popullata urbane”, thuhet në raport.
Sipas raportit, thuhet se pak më shumë se një e pesta apo 23 për qind e të anketuarve besojnë se kjo Qeveri do ta njohë Kosovën, kurse 56 për qind e tyre besojnë se kjo Qeveri nuk do ta bëjë këtë.
“Mendimi se kjo qeveri nuk do ta njohë Kosovën në masë më të madhe e përfaqësojnë meshkujt, të anketuarit mbi 60 vjeç, me arsim të mesëm dhe fillor dhe banorë të vendbanimeve periferike”, vijon raporti.
Krahasuar me pjesët e mëparshme të hulumtimit, është vërejtur përqindja më e lartë e të anketuarve që do të njihnin pavarësinë e Kosovës për hir të hyrjes më të shpejtë në BE, theksohet në raport.
Po ashtu, në raport thuhet se më shumë se gjysma e qytetarëve serbë nuk do ta mbështesnin planin e Vuçiqit, i cili do ta sillte njohjen e Kosovës.
“Më shumë se gjysma e të anketuarve apo 53.5 për qind nuk do ta mbështesnin planin e presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili do t’i sillte njohjen e Kosovës, 26.3 për qind do ta mbështesnin këtë plan, ndërsa 20.2 për qind nuk kanë përgjigje”.
Krahasuar me hulumtimet e mëparshme, sipas raportit të këtij instituti thuhet se ka pasur një rritje të lehtë të atyre që do të mbështesnin propozimin e përmendur.