Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se pret që gjatë takimit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të dy të jenë të hapur për një gjuhë të përbashkët.
Kështu ka shkruar ai në një postim në llogarinë e tij në Twitter.
“Sot në mëngjes po thërras takimin e Dialogut të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë. Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar sërish se është koha për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë. Unë pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur dhe fleksibël për të gjetur gjuhën e përbashkët”, ka shkruar Borrell.
I am convening this morning the High-level Belgrade-Pristina Dialogue meeting.
Recent tensions in the north of Kosovo have demonstrated yet again that it is time to move forward towards full normalisation. I expect both leaders to be open and flexible to find common ground. pic.twitter.com/T0AhjKd1D3
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) August 18, 2022
Ndonëse u takuan dy herë gjatë vitit 2021, negociatat në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk patën ndonjë rezultat konkret.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se në takimin me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, do të diskutojnë për dy tema, njëra nga to është diskutimi për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve me njohje reciproke.
Kurse tema tjetër që pritet të diskutohet në dialog, sipas kryeministrit të Kosovës janë zhvillimet aktuale tensionuese të kohës së fundit.
Këto deklarata Kurti i dha pas takimit me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Bruksel, një ditë para takimit me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq.
Ndërkaq, presidenti serb, Vuçiq, ka deklaruar disa herë para mediave se do të kërkojë që të diskutohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë Marrëveshjet e arritura për çështjen e Asociacionit.
Por, Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.