Kompania Regjionale për Mbeturina në komunën e Ferizajt, “PASTËRTIA”, ka njoftuar se i ka pezulluar shërbimet e administratës, për shkak se persona të panjohur i kanë thyer dyert në objektin e saj qendror.
“KRM »Pastërtia » – Ferizaj, njofton klientët që për shkak të thyerjes së dyerve në objektin qendror nga persona ende të panjohur, kompania pezullon shërbimet e administratës deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e KRM Pastërtisë.
Portali Dukagjini ka kontaktuar me Basri Sylën, drejtorin e kësaj kompanie, i cili tha se nuk i di arsyet se pse ka ndodhur një gjë e tillë.
Syla bëri të ditur se sipas informatave që deri tani i posedojnë, nuk është marrë asgjë në zyrat e tyre, sepse sipas tij, në arkë asnjëherë nuk lënë të holla.
Ai u shpreh se janë duke i pritur hetimet e policisë, për ta zbardhur në tërësi rastin.
“Pak më herët policia e kanë kryer pjesën e tyre. Asgjë nuk kanë marrë, vetëm i kanë thyer dyert. Arkën nuk e kanë prekur, sepse aty nuk kemi lënë mjete. Ende nuk e dimë se çfarë kanë mund të marrin, nuk i dimë arsyet”, ka deklaruar Syla.
Drejtori i kompanisë regjionale “Pastrimi”, tha se një rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe para tri vjetësh.