Në ditën ku në rend dite në Kuvendin e Malit të Zi, është mocioni i mosbesimit ndaj kryeministrit Dritan Abazoviq, ky i fundit iu është drejtuar deputetëve duke thënë se atyre u pengon përkatësia etnike e tij.
Abazoviq ka thënë se ai është kryeministër që i mbron interesat kombëtare të Malit të Zi dhe po ashtu merr vendime të vështira.
“Që në ditën e parë u ka shqetësuar fakti që jam pjesëtar i një kombi pakicë [shqiptar]. Unë jam kryeministër që merr vendime të vështira, që mbrojti interesat kombëtare edhe pas 30 gushtit 2020, që ruajti kursin e politikës së jashtme”, ka deklaruar Abazoviq, raportojnë mediat malazeze.
Ai i ka ftuar deputetët e Kuvendit malazez që të bashkohen dhe të bisedojnë, siç ka thënë për gjëra reale.
Ai ka shtruar pyetje se cilat janë shkaqet që ka ardhur iniciativa për rrëzimin e tij nga pushteti.
“Sot ndoshta bashkoheni të gjithë në urrejtje. Herën tjetër bashkohuni në dashuri. Le të flasim për gjëra reale, jo halucinacione, e bash për këtë duhet të bashkohemi… Pres diskutimin dhe përpjekjen e sotme për të shpjeguar pse erdhi iniciativa për rrëzimin tim, kush është frymëzuesi dhe çfarë fshihet pas saj”, ka deklaruar Abazoviq.
Të premten pritet të bëhet e ditur se a do të votohet mocioni i mosbesimit ndaj Abazoviqit, apo ai do të vazhdojë ende ta ushtrojë detyrën e tij si kryeministër i Malit të Zi.