Në magjistralen Mitrovicë-Rashkë, në veri të Kosovës, situata është e qetë, por trupat amerikanë në kuadër të NATO-s janë vendosur përgjatë rrugëve kryesore në veri pas dështimit të negociatave në Bruksel.
Rritjen e prezencës së trupave në këtë zonë e kishte konfirmuar edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më herët gjatë kësaj jave, raporton REL, transmeton Dukagjini.
Prezencë e KFOR-it shihet edhe në Rudarë, një tjetër zonë ku u ngritën barrikada tre javë më parë.
Kujtojmë se në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht u rritën tensionet, pasi serbët lokalë ngritën barrikada për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës: atë për targat dhe dokumentet serbe.
Barrikadat u hoqën, por NATO ka përsëritur se KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë, nëse rrezikohet stabiliteti, apo mund të ketë ndonjë tension në terren.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të enjten pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Bruksel se “për fat të keq nuk u arrit marrëveshje, por ky nuk është fundi i tregimit”.
Ambasadori i ShBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka vlerësuar të premten se edhe pse shumë janë të zhgënjyer që në Bruksel nuk ka pasur përparim në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, rezultati i atyre bisedimeve është ende pozitiv.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, paralajmëroi se presidenti serb do t’i drejtohet popullit në lidhje me dialogun në Bruksel të dielën në ora 13:30 nga Pallati i Serbisë.
“Aleksandër Vuçiq e shtyu fjalimin e tij pikërisht sepse nuk mund të pajtohet me faktin se ne kemi konflikte në Kosovë, se nuk kemi zgjidhje dhe ai po punon ditë e natë për të gjetur një zgjidhje”, ka thënë Petkoviq në një konferencë për media në Qeverinë e serbe.
Qeveria e Kosovës pasditen e 1 gushtit shtyu zbatimin e dy vendimeve për targat dhe dokumentet serbe deri më 1 shtator. Vendimi për targat ka të bëjë me riregjistrimin e të gjitha makinave që qarkullojnë në veri, e që janë të pajisura me targa serbe.
Ndërkaq, vendimi për dokumentet konsiston me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, që hyjnë në Kosovë. Këtë praktikë, Serbia e aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.
Pas rritjes së tensioneve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Në takimet e mbajtura më 18 gusht, palët nuk arritën asnjë marrëveshje sa i përket targave dhe dokumenteve serbe. Por, BE-ja ka thënë se Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë dialogun për këto çështje si dhe për një marrëveshje finale për normalizimin e plotë të raporteve.