Drejtori i së ashtquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj politikanes serbe, Rada Trajkoviq, e cila kishte thënë se detyrat kryesore të NATO-s janë ofrimi i sigurisë dhe liria e lëvizjes.
Ai në një postim në llogarinë e tij në Twitter, e ka quajtur Trajkoviqin zëdhënëse të NATO-s.
“Kjo nuk është për t’u habitur, tani ka kaluar nga mbështetja për Albin Kurtin në atë të NATO-s. Ajo kurrë nuk ka qenë në anën e serbëve dhe të Serbisë. Dhe kur ROSU-ja pushton veriun, nuk e shqetëson”, ka shkruar Petkoviq.
Ево је @trajkovic_rada у улози портпарола НАТО! Ништа то не чуди, сада је с подршке @albinkurti прешла на НАТО..
Само никада није била на страни Срба и Србије!
А када РОСУ упада на север, то јој не смета?! https://t.co/VfJt41AUXf— Петар Петковић (@PetkovicPetar) August 21, 2022
Trajkoviq u shpreh në këtë rrjet social se është në mandatin e KFOR-it edhe heqja e barrikadave.
“Detyra kryesore e KFOR-it është të ofrojë siguri dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Heqja e barrikadave është në mandatin e KFOR-it”, ka thënë Trajkoviq.
Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Kosova ka dy synime e që janë shfuqizimi i shtetit serb në Kosovë dhe ‘dëbimi i serbëve’.
Pas takimit me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Vuçiq ka thënë se Beogradi kishte propozuar targa me status neutral “KS” mirëpo, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk është pajtuar dhe ka kërkuar që ato të jenë “RKS”.
“Kuptimi i gjithçkaje është se çfarëdo që ne pranojmë apo nuk pranojmë, ata refuzojnë gjithçka”, ka thënë Vuçiq.
Ai, gjithashtu, ka thënë se mesazhi i tij për Kosovën është se Serbia do të mbrojë popullin e saj në Kosovë kinse nga persekutimet, duke theksuar se nuk do të ketë refugjatë.
Në takim janë të ftuar të gjithë përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve nga Kosova, liderët e Listës Serbe, të gjithë kryetarët serbë të komunave, kryetarët e rretheve dhe drejtorët e spitaleve.