Afërdita Uka-Fejzullahu, zëdhënëse e Termokosit, ka treguar se shtrenjtimi i tarifave të ngrohjes nuk është nën përgjegjësinë e Termokosit.
“ZRrE është autoriteti i vetëm rregullativ i tarifave të ngrohjes për ne. Ne kemi aplikuar për shqyrtimin e tarifave të reja për sezonin e ardhshëm. Jemi në pritje të një përgjigjeje nga ZRrE-ja. Deri më tani nuk kemi indikacione se do të ketë ngritje të çmimit të tarifave të ngrohjes”, ka thënë ajo për agjencinë EO.
Tutje, Uka-Fejzullahu ka bërë të ditur se ngrohtorja e kryeqytetit do të zgjerohet dhe në më shumë se 120 objekte banesore, ku do të investohen 13 milionë euro.
Ajo ka treguar se punimet janë duke u bërë në lagjen Mati 1, përkatësisht në rrugën “Muharrem Fejza” dhe përreth.
“Projekti për rehabilitimin dhe zgjerimin e projektit të ngrohjes, i cili ka filluar vitin e kaluar, është investim nga Qeveria gjermane në vlerë 12 milionë euro. Projekti sapo ka filluar realizimin në lagjen Mati 1, në rrugën ‘Muharrem Fejza’ dhe përreth. Janë shtuar 40 objekte banesore në këtë lagje”.
“Mbi 1 milion euro ka investuar ‘Termokos’ ndërsa 12 milionë euro Qeveria gjermane, duke mundësuar që të kyçen edhe 40 objekte banesore që të mos mbesin jashtë objektit të ngrohjes”.
“Ndërsa objekte të vjetra banesore që do të kyçen në rrjetin e ngrohjes janë 86 objekte të vjetra banesore që shtrihen në qendër, Ulpianë, Dardani dhe Bregu i Diellit”, ka deklaruar Uka-Fejzullahu.