Policia pakistaneze ka ngritur akuza për terrorizëm kundër ish-kryeministrit Imran Khan, kanë bërë të ditur autoritetet të hënën, duke përshkallëzuar tensionet politike në vend derisa kryeministri i rrëzuar mban tubime masive duke kërkuar të kthehet në detyrë, raporton AP.
Akuzat për terrorizëm erdhën pas një fjalimi që Khan mbajti në Islamabad të shtunën, në të cilin ai u zotua të padiste oficerët e policisë dhe një gjyqtare femër duke pretenduar se një ndihmës i ngushtë ishte torturuar pas arrestimit të tij.
Vetë Khan nuk i është përgjigjur menjëherë akuzës së policisë të paraqitur kundër tij. Partia politike e Khan – Tehreek-e-Insaf, tani në opozitë e publikoi një video në internet që tregonte mbështetësit që e rrethonin shtëpinë e tij për ta ndaluar policinë që të arrinte atje.
Qindra persona mbetën atje të hënën, ndërkaq policia ende nuk ka arritur ta arrestojë Khan, tha Fawad Chaudhry, i cili shërbeu si ministër informacioni në qeverinë e Khan. Tehreek-e-Insaf paralajmëroi se do të mbajë mitingje mbarëkombëtare nëse Khan arrestohet.
Avokati i Khan, Bawar Awan ndërkohë paraqiti një kërkesë në Gjykatën e Lartë të Islamabadit duke kërkuar lirim me kusht mbrojtës për Khan, i cili do ta mbronte atë nga arrestimi.