Kryetari i Partisë Socialdemokrate, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mostransparencë në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.
Ai ka shkruar në Facebook “nuk ka burim as informacion, e sidomos llogaridhënie nga pala e Kosovës për dialog”.
“Dialog i mbyllur. Dialog përjashtues. Dhe kjo vetëm nga delegacioni i Kosovës. Si u bë që për çka u tha, e çka nuk u tha në dialog e marrim vesh nga mediat në Serbi, ku raporton Vuçiqi? E pastaj na thonë po ndikoheni nga ‘mediat armike’”, ka shkruar Molliqaj.
Po ashtu, Molliqaj e ka kritikuar ekzekutivtin për mosraportim në Kuvendin e Kosovës dhe për mungesë të dialogut me shoqërinë civile.
“Pa vizion, pa plan, pa platformë për dialog; Pa platformë të miratuar në Kuvend; Pa raportim në Kuvend; Pa dialog me shoqërinë civile”, ka shkruar Molliqaj, duke iu referuar Qeverisë së Kosovës.
Sipas Molliqajt, pushteti aktual po tregon arrogancë.