Agim Ademi ka fituar edhe një mandat për të udhëhequr Federatën e Futbollit të Kosovës.
Si kandidati i vetëm për FFK, ai mori 42 vota pro nga 43 delegatë pjesëmarrës në Kuvendin Zgjedhor, të mbajtur të mërkurën në ora 11:00.
Me vendim të shumicës, votimi ishte i hapur dhe nuk pati asnjë votë kundër tij, përveç njërës e cila ishte abstenim.
Ademi do të jetë kryetar i FFK-së për 4 vjet rresht.
Delegatë të FIFA-s, UEFA-s, dhe kryetarët e FSHF-së, Armand Duka dhe ai i FSHMV, Muhamed Sejdini ishin pjesë e Kuvendit.
Ushtruesi i detyrës i sekretarit të FFK-së, Taulant Hodaj ka hapur punimet për Kuvendin Zgjedhor për kryetar të FFK-së.
Me një fjalë rasti ka hapur punimet për Kuvendin Zgjedhor, ku ka treguar se si kanë ardhur deri tek i pari i FFK-së.
Ndërsa, nënkryetari i FFK-së, Bakir Burri ka propozuar kryesinë e punës në Kuvendin Zgjedhor, propozim që është votuar nga të gjithë delegatët e pranishëm në kuvend.
Krahas nënkryetarit Burri dhe ushtruesit të detyrës të sekretarit të përgjithshëm Taulant Hodaj, në kryesi të punës janë përfshirë edhe delegatët Enver Duriqi, Labinot Ibrahimi e Naim Ferizi.
Pas kësaj, kryesuesi Enver Duriqi ka udhëhequr mbledhjen, duke propozuar edhe komisionin verifikues dhe procesmbajtësin.
Të gjitha propozimet e kryesisë së punës janë miratuar nga 43 delegatët e pranishëm.
Të gjithë ishin pro, nuk pati asnjë kundërshtim apo abstenim.
Para se të zgjidhet kryetari i FFK-së, Sevdai Robelli ka konfirmuar se ky kuvend zgjedhor është në bazë të rregullores së federatës, dhe bazuar në rregullore ai i ka të gjitha predispozitat që të vazhdojë me punën.
Kryetar i Komisionit Verifikues bëri të ditur, po ashtu, se i gjithë raporti punues u është dërguar delegatëve të pranishëm, që në total janë 43.
“Kemi bërë shikimin e korumit, duke u bazuar në rregulloret e koventit punues, mund të konstatojë se është gjithçka në akord me rregulloren, së bashku me delegatët e pranishëm që janë 43”, ka deklaruar Robelli.
“Në bazë të kësaj, mund të konfirmoj se në bazë në nenit 29, ka kuorum të mjaftueshëm për të vazhduar me këtë Kuvend Zgjedhor”.
“Këtë raport e ka pranuar secili delegat i FFK-së, dhe tani do t’ia dorëzojmë komisionit punues”, ka shtuar më tutje ai.
FFK, më 26 mars, kishte mbajtur një konferencë për media, ku Agim Ademi kishte shpalosur programin e tij të quajtur “Bashkë për futbollin”, për mandatin e ri 2022-2026,
Fillimisht, ai tregoi që synon që futbolli të futet nëpër shkolla, dhe kanë kërkuar nga MKRS për ta shtuar një orë më shumë të edukatës fizike, e cila do t’i përkushtohet vetëm futbollit, në mënyrë që të nxirret talenti ose talentja më e mirë, ku më pas ai ose ajo do të vazhdojë karrierën e tij në qytetin e tij.
Pikë tjetër kryesore e programit 2022-2026 do të jetë edhe infrastruktura. Presidenti Ademi tregoi se do të fillojë riaktivizimi i futbollit spontan, respektivisht të rrugës, ku premtoi se në çdo qytet të Kosovës do të ketë stadiume të profilit të vogël, të pajisur me reflektorë dhe drita. Fëmijët do të monitorohen nga dy trajnerë të Kosovës dhe do të zgjidhen talentët e radhës nga kjo pikë.
Sa i përket fushës së investimit, Ademi tregoi që synon të rrisë kapacitetin në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe mjetet e nevojshme për këtë gjë veçse janë të gatshme, ndërsa tha që kapaciteti i këtij stadiumi pritet të arrijë shifrën e afro 22,000 ulëseve, që do të thotë se do të kemi edhe 8,000 ulëse të reja.
Kampi nacional në Hajvali është në rikonstruksion e sipër. Ademi tha që në mandatin e ri, ky kamp do të ketë edhe tribunat e tij, atë perëndimore dhe atë lindore, ku synohet që të zhvillohen ndeshjet e U21 dhe ekipeve të tjera përveç të Kombëtares A.
Pikë tjetër e planprogramit të Ademit ishte edhe pajisja me reflektorë në çdo stadium të Kosovës, në mënyrë që ndeshjet të mos zhvillohen ditën, por në mandatin e ri të zhvillohen me fillim nga ora 20:45.
Për fund, ai tregoi që njëri ndër projektet më të rëndësishme do të jetë akademia e futbollit, dhe se ky projekt veçse është aprovuar nga FIFA dhe do të subvencionohet i tëri nga organi më i lartë qeverisës i futbollit.
Vendi i akademisë do të jetë në qytetin e Lipjanit, respektivisht në territorin e një shkolle e cila është e paaktivizuar. Akademia do të ketë kapacitet për 500 nxënës, të cilët do të kenë edhe konviktin e tyre.
FFK, më 2 mars të këtij viti, caktoi datën e zgjedhjeve për kryetar, dhe kohën për aplikime e shfrytëzuan Agim Ademi dhe djali i Fadil Vokrrit, Gramoz Vokrri.
Komisioni i FFK-së rreth aplikimeve ka pranuar kandidaturën e Agim Ademit dhe e ka refuzuar atë të Gramoz Vokrrit, i cili sipas Komisionit të FFK-së për aplikimet e kandidaturave, ka pasur probleme me disa nga nënshkrimet e prezantuara.
Gramoz Vokrri, si njëri nga kandidatët për kryetar, ishte ankuar në Federatën e Futbollit të Kosovës, me arsyetimin se Kuvendi Zgjedhor i organizuar më 6 prill është i parregullt.
Ai madje kishte kërkuar që të pezullohet edhe veprimtaria e ushtruesit të detyrës së Sekretarit të përgjithshëm, Taulant Hodaj, duke kërkuar që t’i hiqen kompetencat.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka dalë me vendimin final të hënën, duke e refuzuar. Ajo ka thënë se nuk është kompetente në pikëpamjet ligjore për ta gjykuar këtë lëndë.
“Gjykata pas shqyrtimit paraprak të padisë, në përputhje me nenin 17 dhe 19 të LPK-së, shqyrtoi kompetencën lëndore të Gjykatës në këtë çështje juridike dhe vlerësoi se Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk është kompetente në pikëpamje lëndore për të gjykuar këtë lëndë”, thuhet në aktvendimin e gjykatës.
Gramoz Vokrri ka konsideruar se i është mohuar padrejtësisht e drejta e kandidimit për kryetar të FFK-së, duke iu shpallur disa nënshkrime të pavlefshme.
FFK në anën tjetër e kishte publikuar këtë vendim, duke e quajtur si fitore të tyre, pasi, sipas saj, Kuvendi Zgjedhor ishte i ligjshëm.