Anëtari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Zgjim Hyseni, ka hedhur kritika mbi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për siç thotë ai, mostransparencë në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
I ftuar në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, Hyseni ka theksuar se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Kurti, po karakterizohet si qeveri e mbyllur.
“Vlen të përmendet që dialogu prej se ka filluar është krejtësisht nën logjikën në mënyrën qysh e ka trajtuar pushteti i ri, është krejtësisht nën logjikën, e din Albini. As nuk ka pas takime, transparencë për t’u kuptuar se cilat janë pozicionet e palëve, për çka është biseduar, dhe çfarë pozicione kanë mbajtur palët respektive”.
“I referohem mungesës së transparencës, mungesës së llogaridhënies. Ne e kuptuam nga konferenca e presidentit Vuçiq për çka është diskutuar dhe kush çka ka kërkuar. Në anën tjetër kur mediat e Kosovës i referohen informatave në Serbi mbi dialogun, qeveria këtu akuzon dhe thotë se po i përcillni mediat e armikut”, shtoi Hyseni.
Sipas Hysenit, Qeveria sa herë që del në dalje publike, “në shumicën e herave, ose kujdeset që të gjejë fajtorin te qeveritë e kaluara, ose te kriza globale”.
“Qeveria kujdeset të prodhojë arsyetime e jo rezultate”
Siç theksoi Hyseni, ata kujdesen “që të prodhojnë arsyetime, dhe jo rezultate”.
Ajo që po e karakterizon dialogun, sipas Hysenit, është kthimi në temat e dikurshme të Edita Tahirit.
“Jemi duke iu kthyer temave që atëherë është quajtur dialogu teknik, e ne e dimë që këto tema kanë rezultuar me asociacionin në fund.
Sa i përket ardhjes së të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në Kosovë, Hyseni shprehet i bindur se arsyeja e kësaj vizite është “të provojnë të ketë një marrëveshje deri me datën 1 shtator”.
Hyseni: Lista Serbe është nën kontrollin dhe dirigjimin direkt të Beogradit
Deklaratën e kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili ka thënë se nëse brenda këtyre 10 ditëve nuk do të ketë kompromis, atëherë lista e tij nuk do të jetë më pjesë e institucioneve të Kosovës, Hyseni e ka quajtur shantazh.
“Ky është një shantazh, argument pse logjika e Asociacionit nuk funksionon. Kjo tregon se Asociacini nuk është logjikë që zgjidh diçka. Është presion për marrëveshje eventuale deri më datën 1 shtator”, është shprehur Hyseni.
Ai ka theksuar se Lista Serbe “është nën kontrollin dhe dirigjimin direkt të Beogradit”, prej se është formuar, pavarësisht në cilën qeveri ka punuar kjo listë.