Liridon Restelica është shkarkuar nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking”.
Kështu ka njoftuar të hënën e 22 gushtit, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Sipas tij, arsyeja e shkarkimit të Restelicës nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje, lidhet me keqpërdorimin e detyrës.
Rama ka thënë se ai nuk e ka informuar bordin për planet dhe projektet investuese te ndërmarrjes dhe thuhet se nuk ka përfillur Bordin e Drejtorëve.
“Shkarkohet nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të NPL Prishtina Parking, z. Liridon Restelica. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve të NPL ‘Prishtina Parking’ ka konstatuar se veprimet e Kryeshefit Ekzekutiv, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve, kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL ‘Prishtina Parking’”, ka shkruar Rama.
Vendimi për shkarkimin e tij hyn në fuqi të hënën e 22 gushtit.