Pas raportimit se është shkarkuar nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking”, Liridon Restelica, e ka mohuar një gjë të tillë.
Ai me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se ka dhënë dorëheqje të premten e 19 gushtit.
Ai ka theksuar se arsyet e dorëheqjes veçse janë të theksuara në akt-dorëheqjen.
“Ashtu si e do rregulli, njoftimi për dorëheqje, shkarkim apo te ngjashme, së pari i bëhet personit për kënd i drejtohet apo organit që të ka zgjedhur, e tek pastaj mediave dhe palëve të interesuara. Sot, u trumbetua nëpër media për kinse shkarkimin tim në orët e vona të mbrëmjes. Nuk kanë pasur nevojë për rrokada të tilla pasi dorëheqja ime ishte e parevokueshme”, ka shkruar Restelica.
“Për të ruajtur reputacionin dhe dinjitetin tim, do të shikoj mundësitë ligjore për mbrojtjen e reputacionit tim dhe kolegëve të ndërmarrjes publike komunale Prishtina Parking ku kam punuar me nder dhe përgjegjësi deri më tani”, shtoi ai.
Ndryshe, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se arsyeja e shkarkimit të Restelicës nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje, lidhet me keqpërdorimin e detyrës.
Rama ka thënë se ai nuk e ka informuar bordin për planet dhe projektet investuese te ndërmarrjes dhe thuhet se nuk ka përfillur Bordin e Drejtorëve.
“Shkarkohet nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të NPL Prishtina Parking, z. Liridon Restelica. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve të NPL ‘Prishtina Parking’ ka konstatuar se veprimet e Kryeshefit Ekzekutiv, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve, kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL ‘Prishtina Parking’”, ka shkruar Rama.
Vendimi për shkarkimin e tij hyn në fuqi të hënën e 22 gushtit.