Të martën e 23 gushtit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në këtë takim është i pranishëm edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Në mbrëmje, emisari amerikan, Escobar pritet të takohet edhe me përfaqësues të opozitës, të cilët i ka ftuar për darkë.
Ndërkaq, Escobar nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kështu është bërë e ditur për RTV Dukagjinin nga zëdhënës të Qeverisë së Kosovës, teksa nuk janë bërë të ditura arsyet e mostakimit.
Ndërsa, të mërkurën e 24 gushtit, Kosovën do ta vizitojë edhe emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Escobar vjen në Kosovë pak ditë pas takimit të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Në takimin e fundit në nivel të krerëve shtetërorë nga Kosova e Serbia, i cili kishte zgjatur më shumë se pesë orë, nuk kishte pasur marrëveshje.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme, Josep Borrell, kishte thënë se përkundër mundësisë për një marrëveshje, dialogu duhet të vazhdojë ditëve në vijim.
Borrell u shpreh se për çdo eskalim të gjendjes në terren, të dyja palët do të jenë përgjegjëse, teksa tha se takimi i ditës së enjte nuk ishte takim i rregullt, por ishte më shumë një takim për t’i zgjidhur tensionet në Veri të vendit.